Ish-presidenti Moisiu për Albin Kurtin: E respektoj, por disa gjëra nuk i ka në terezi

Nga A2 CNN
13 Korrik 2025, 21:26 | Politikë

Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë dhe marrëdhënien mes kryeministrit Albin Kurti dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, Moisiu u shpreh se e njeh Kurtin prej vitesh dhe e vlerëson, por theksoi se disa veprime të tij nuk janë të menduara mirë.

“Kryeministrin e Kosovës e njoh prej kohësh dhe kam respekt për atë djalë, por ai disa gjëra nuk i ka në terezi. Ja kam thënë.”

Moisiu kujtoi rolin vendimtar të SHBA-së në krijimin e shtetit të Kosovës, duke i bërë thirrje politikës kosovare që të mos bëjë veprime që bien ndesh me aleatët strategjikë.

“Sikur të bashkoheshin të gjithë shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, sërish nuk e bënim dot Kosovën po të mos ishte Amerika. Të mos bëjmë disa gjëra tani që bien ndesh.”

Ish-presidenti pranoi se edhe partnerët ndërkombëtarë mund të gabojnë, por theksoi se duhet gjetur gjithmonë mënyra për të zbutur tensionet, jo për t’i acaruar ato. “Unë nuk mund të them se ata nuk marrin vendime të gabuara, edhe ata gabojnë se njerëz janë, por duhet të gjesh mënyrën sesi t’i trajtosh. Jo të përplasemi tani”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos