Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në ambientet e punës bëri bashkë shtetin e politikën të cilët në unison dënuan aktin e rëndë. Kreu i shtetit, Bajram Begaj dhe Kryeministri Rama e cilësuan aktin si një sulm ndaj drejtësisë duke kërkuar dënimin më të ashpër për autorin.
Bajram Begaj: Ky sulm i tmerrshëm ndaj gjyqtarit të shquar, por edhe ndaj drejtësisë si të tillë, duhet të përballet nga gjithë shoqëria me përbuzjen dhe mospajtimin më të thellë, sepse ky akt është atentat makabër ndaj vetë sistemit, tek i cili ka themelet bashkëjetesa dhe paqja sociale.
Edi Rama: Agresioni kriminal mbi gjykatësin kërkon padyshim përgjigjen më ekstreme ligjore ndaj agresorit. Kjo ngjarje tragjike besoj se është argumenti më i pakundërshtueshëm, për të mbështetur ashpërsimin domethënës në Kodin Penal të dënimit për armëmbajtjen pa leje dhe ngushtuar maksimalisht hapësirën për lojëra me afatet në dëm të mbrojtjes prej zjarrit të armëve të paligjshme!
Ndërsa Ministri i Drejtësisë, Besfor Lamallari, e konsideroi një vijë të kuqe cenimin e jetës të punonjësve të drejtësisë.
Besfort Lamallari: Ne nuk do të lejojmë që sulme si ky dhe i asnjë forme tjetër të cenojnë besimin e publikut te drejtësia e as të errësojnë përpjekjet tona të vijueshme për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Siguria e njerëzve të drejtësisë është një vijë e kuqe që askush nuk duhet ta kalojë.
Unitetin e institucioneve e dëshmuan edhe ato të drejtësisë, ku KLP dhe Unioni i Gjyqtarëve dënuan aktin, ndërsa KLGJ heshti më gjatë nga të gjithë për të folur e fundit.
KLGJ: Këshilli thekson se respektimi i pavarësisë dhe sigurisë së magjistratëve është gur themeli i shtetit të së drejtës, përmes të cilit garantohet mbrojtja e të drejtave të gjyqtarëve dhe interesi publik. Cenimi i integritetit fizik të gjyqtarëve përbën sulm të drejtpërdrejtë, jo vetëm ndaj magjistratëve por edhe ndaj shtetit të së drejtës, institucioneve demokratike, si dhe interesit dhe besimit të publikut.
KLP: Vrasja e një magjistrati në sallën e gjyqit është një akt i pa imagjinueshëm, që përbën jo vetëm një krim ndaj një përfaqësuesi të drejtësisë, por edhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Kushtetutës, shtetit ligjor dhe sigurisë publike në tërësi.
Akti kriminal u dënua edhe nga Sali Berisha ku si rrallë herë, politika gjeti konsensus në qëndrime.
Sali Berisha: Duke i shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmve të gjyqtarit të ndjerë Kalaja, dënoj me forcën më të madhe aktin e shëmtuar dhe kriminal ndaj gjyqtarit në sallën e gjyqit , dëshmi e kontrollit të rendit nga krimi dhe pasigurisë së madhe që ekziston sot në vend. Kërkoj dënimin më të rreptë ligjor për ekzekutorin dhe porositësit e këtij krimi shumë të rëndë.
Kjo ngjarje kriminale është tashmë në dorë organeve të drejtësisë, ku autori i ngjarjes përballet me akuzës e vrasjes për shkak të detyrës. (A2 Televizion)
Iu vra gjyqtari, KLGJ flet e fundit! Begaj dënon vrasjen, Rama kërkon kodin e ri penal
