“Jam kërcënuar, por nuk kam frikë”, Dash Sula: Rama më riktheu dinjitetin

Nga A2 CNN
17 Shtator 2026, 15:49 | Politikë

Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, tha se sfida e tij më e madhe në detyrën që i është ngarkuar, është të garantojë bizneset se askush nuk do të trokasë më në dyert e tyre, për të marrë atë që ai e quajti “pjesën e shefit”.

“Ju garantoj që nuk do të shpëtojë asnjë inspektor. Pavarësisht presioneve që kam, po them që kam pasur presione. Para dy ditësh kam shkuar në Policinë e Elbasanit, kam bërë denoncim, pikërisht sepse më vijnë mesazhe kërcënuese, më kanë marrë në telefon me kërcënime. Kam marrë dhe nuk kam frikë. Nuk kam frikë, se nuk i kam borxh njeriu”, tha Sula i ftuar në “Puls” nga Bruna Çifligu në A2 CNN.

“Dhe unë po them këtu, nga televizioni juaj i nderuar, i bëj thirrje çdo qytetari, çdo subjekti: nëse do të përdoret emri i Inspektorit të Përgjithshëm, Dashnor Sula, nga një inspektor, nga një trupë inspektimi, nga një drejtues i inspektoratit rajonal, nga një drejtues i inspektoratit qendror, që flet, sepse, në teori, ka qenë që “duhen për shefin”, unë i kam bërë të gjitha të qarta. Nuk ka më “për shefin”, të paktën për mua, këtu lart. Dhe po ju them që sfidën që unë kam, e kam me veten time”.

Sula gjithashtu tha se Edi Rama, duke e emëruar në këtë pozicion, i ka rikthyer dinjitetin. “Dua të jem 1000 herë faqebardhë para shqiptarëve, 100 herë me Edi Ramën, sepse ai burrë më riktheu dinjitetin”, tha Sula. “Më ka rikthyer dinjitetin, në kuptimin jo se do isha harruar unë, por më dha mundësinë që unë të tregoj vlerat e mia morale, profesionale, kush jam. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua. Nuk do të rrojmë as 500 vjet, as 1000 vjet. Ka shumë vlerë të kujtohesh për mirë. Mirë është edhe të lëmë emrin e mirë familjes, fëmijëve, nipërve, mbesave, stërnipërve, kur të ikim nga kjo botë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos