Tre emra janë hedhur në tavolinën e diskutimeve mes grupit negociator të Partisë Demokratike dhe partive të tjera opozitare, për kandidatin e përbashkët për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë.
Burime për A2 CNN bëjnë me dije se në takime janë diskutuar tre emra të mundshëm që vijnë si aktivistë të shoqërisë civile. Ata janë Edlira Çepani, Ermal Hasimja dhe Florian Haçkaj, por deri më tani nuk ka dakordësi për asnjë prej tyre dhe negociatat do të vijojnë mes palëve.
E vetmja gjë për të cilët PD ka rënë dakord me partitë e tjera opozitare është se kandidati për Tiranën nuk do të jetë nga radhët e forcave politike.
Sakaq pas takimit të sotëm me përfaqësuesit e Partisë Mundësia, Belind Këlliçi tha se opozita është e unifikuar për idenë që do të dilet në garë përballë Ogerta Manastirliut me një kandidat të vetëm. “Kemi dakordësuar që na duhet një kandidaturë e unifikuar e spektrit opozitar. Të gjitha forcat politike kanë një konsensus për të dalë me një emër që mund të përballen me kandidaten që simbolizon covidin dhe vdekjen. Për teknikalitetet, kemi diskutuar emra të përveçëm, kemi rakorduar për profilin që duhet të ketë”, tha ai.
Ndërkohë, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri deklaroi se është e rëndësishme që nga këto negociata, opozita të dalë me një kandidat të përbashkët, që të jetë një personazh me integritet dhe i distancuar plotësisht nga çdo akuzë.
“Jemi dakord me parimin, nuk është i rëndësishëm emri. Ne nuk po vendosim asnjë kusht për emër, jemi te parimi. Kemi dhënë dhe ide të tjera. Për ne ka rëndësi parimi dhe nuk po bëjmë kushte për emrit. Do i qëndrojmë parimit. Po respektohet ky parim. Ne mendojmë që kjo është forma e vetme që mund të fitohet Tiranë dhe me emrin me integritet, një model i kundër me Manastirliut. Një njeri profesionist, publik, që i ka vërtet shanset”, tha Kapri. (A2 Televizion)