“Do të flas në italisht, sepse këtu jemi në territor italian”. Kështu e nisi konferencën e përbashkët për shtyp kryeministri Edi Rama. Në krah të homologes italiane, kreu i qeverisë shqiptare hodhi poshtë deklaratat e gazetarëve italiane për klane mafioze në Shqipëri.
“Sipas një gazete italiane që merret me të nesërmen, zemra e kriminalitetit shqiptar është vendi ku veprojnë klane që lidhen me trafikun e qenieve njerëzore. E kemi marrë shumë seriozisht këtë zbulim shqetësues meqë gazeta thoshte që prokuroria po merret me zbulimin e këtyre klaneve. Nga Prokuroria na siguruan që ky klan nuk ekziston as në këtë zonë, as në zona të tjera të Shqipërisë. Veprojnë grupe kriminaliteti, por sipas Prokurorisë nuk ekzistojnë premisat për të folur për një mafie shqiptare, një koncept i përdorur kohët e fundit për të hedhur baltë mbi Shqipërinë. Por duke cituar kreun e SPAK, nuk mund të themi në këtë vend nuk ekzistojnë struktura që u ngjajnë grupeve mafioze si Ndragheta Gomorra, apo Santa Corona Unita”.
Rama shprehu keqardhjen për “gjysmë të vërtetat e mediave italiane” dhe tha se sulmet për marrëveshjen me Italinë bëhen me qëllimin për të hedhur baltë mbi Shqipërinë.
“Trishtim për gjysmë të vërtetat që janë thënë në mediat italiane mbi Shqipërinë me qëllimin e qartë për të hedhur baltë mbi këtë vend për të sulmuar marrëveshjen mes dy qeverive në luftën kundër migracionit të paligjshëm. Duhet të kenë turp të gjithë ata që të drejtën demokratike për ta kundërshtuar këtë marrëveshje, e kanë shndërruar në abuzim të pushtetit të katërt dhe kjo në kurriz të shqiptarëve e Shqipërisë dhe publikut italian. Kam marrë mesazhe të shumta përballë lumit të baltës që shpërthyen ndaj Shqipërisë sonë”. (A2 Televizion)