Për t’u betuar si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, autoritetet shqiptare nuk ja hapen “derën” e burgut, por Alfred Beleri si eurodeputet arriti të siguronte lejen shpërblyese falë të cilës do të shijojë lirinë për 5 ditë.
Fillimisht në Athinë e më pas në Strasburg, ku do të betohet në Parlamentin Europian për të përfaqësuar qytetarët e shtetin grek.
Në orën 7 të mëngjesit të së hënës, Beleri la qelinë e Burgut të Fierit për të udhëtuar drejt Rinasit. Nën garancinë e shtetit grek, së bashku me bashkëshorten e tij udhëtuan drejt aeroportit me automjetin me targa diplomatike.
Posi arriti Fredi Beleri të bindte Ministrinë e Drejtësisë që kësaj radhe t’i aprovohej leja për të marrë detyrën si eurodeputet i Greqisë?
Dy ditë pasi përfundoj takimi I liderve të NATOS në Uashington, ku të pranishëm ishin edhe dy kryeministrat Edi Rama dhe Kiriako Mitostotakis, mediat greke publikuan lajmin të premten e kaluar se Beleri ka marrë lejen nga Shqipëria për t’u betuar në Strasburg.
Autoritetet shqiptare fillimisht vonuan zyrtarizimin e lajmit, por Ministria e Drejtësisë ishte e angazhuar me drejtorinë E Burgjeve që për këtë çështje kaq sensistive, të punonin edhe në fundjavë me qëllimin që Beleri mos të pengohej në marrjen e mandatit që ja kishin besuar qytetarët grekë me votë.
Të dielën e 14 korrikut, drejtori i Përgjithshëm i burgjeve vulosi lejen shpërblyese për Belerin, që sipas përkufizimit bëhet realitet vetëm me urdhër apo autorizim të Ministri të drejtësisë. Ulsi Manja dha OK pasi ka marrë garancinë se Beleri kishte sjellje shembullorenë burg.
Para se të nisej drejt Athinës ku e pret Kryeministri grek Mitsotakis, Beleri nga Rinasi përcolli edhe një mesazh se nuk heq dorë nga beteja me drejtësinë shqiptare për dënimin me dy vite për korrupsion në zgjedhje.
Përpos përpjekjeve të shumta, ai nuk arriti dot të bëhej qytetari i parë i Himarës, por është i bindur se Himariotët do të marrin vendimin e duhur me 4 gusht.
Më 25 qershor të këtij vitit ai humbi përfundimit mundësinë për të drejtuar bashkinë e Himarës, pas vendimit të Apelit të Posaçëm për ta dënuar me 2 vite burgim.
Aktivizimi i efekteve të ligjit të dekriminalizimit, që solli humbjen e mandatit të kryebashkiakut të zgjedhur, mjaftoi për t’i dhënë dritën jeshile për të fluturuar i lirë për 5 ditë, si një i dënuar me sjellje të mirë. (A2 Televizion)