
Fluksi i euros në tregun shqiptar dhe ndikimin në ekonomi ndezën sërish debate në studion e Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, mes zëvendësministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu dhe gazetarit Bledian Koka. Ky i fundit ngriti pikëpyetje mbi burimin e këtyre eurove, duke shtuar se sektori i ndërtimit nuk justifikon fluksin e madh të valutës dhe se institucionet duhet të hetojnë origjinën e saj.
“Nga kanë ardhur? Sepse këtu e vërteta nuk është që turizmi është industria më e madhe. Këtu e vërtetë është që është ndërtimi dhe te ndërtimi rezulton që ajo që kredia e marrë nga bankat nuk reflekton fare në nivel institucional që të gjejmë nga vijnë këto euro”, u shpreh Koka.
Në përgjigje të tij zv.ministri theksoi se nëse ky fluks nuk do të ishte përthithur nga kursi i këmbimit, inflacioni në Shqipëri do të ishte shumë më i lartë.
“Gjithë ky fluksi i eurove që hyjnë pas pandemisë në mënyrë shumë të vrullshme në ekonominë tonë, nëse nuk do të ishte absorbuar nga kursi i këmbimit, do kishte bërë një presion inflacionist aq të lartë, sa ne do ta kishim inflacionin sot tre herë më të lartë se ç’e kemi”, theksoi zv.ministri.
Përkundër deklaratave të gazetarit Bledian Koka i cili tha se Banka e Shqipërisë e ka humbur kredibilitetin, Musabelliu theksuar se institucioni është i integruar në sistemin evropian të bankave qendrore dhe se forcimi i lekut lidhet me hyrjen e një sasie të madhe eurosh në ekonomi pas pandemisë.
“Nuk monitoroni institucione kriminale që vodhën qytetarët. Për mua ai institucion e ka humbur kredibilitetin dhe drejtuesit e institucionit duhet të ikin një orë më parë bashkë me bordin”, u shpreh Koka.
“Banka e Shqipërisë është një bankë komplet e integruar dhe që raporton në mënyrë të rregullt në sistemin e Bankës Qëndrore Evropiane. Nuk është se Banka e Shqipërisë qëndron në ajër. Është institucioni që e integroi ekonominë shqiptare në sistemin europian. Tani janë dy gjëra që e ndikojnë një treg. Është sasia e eurove që hyjnë në treg, po është dhe shpejtësia me të cilën këto para hyjnë në një treg të caktuar. Rasti i Shqipërisë me rritjen shumë të lartë prej pothuajse 75% të çmimit të lekut në periudhën 2021-2023 tregon për një rritje shumë të madhe dhe shumë të shpejtë të fluksit të eurove që hynin në ekonomi. Dhe nëse një faktor i jashtëm do ta ndikonte kaq shumë çmimin e lekut, ai do duhet të rritesh në sasi dhe në shpejtësi më shumë sesa ky faktor fondamental”, tha zv.ministri.
Debati vijoi edhe te ndikimi i kursit të këmbimit në jetën e qytetarëve, pensionistëve dhe familjeve që jetojnë me remitanca, duke humbur fuqi blerëse për shkak të rënies së euros. (A2 Televizion)