Anijet me mbetje toksike, PD e PL akuza qeverisë: Tentativë shtetërore për të manipuluar ngjarjen

Nga Anesti Barjamemaj
21 Gusht 2024, 16:07 | Politikë

Mungesa e transparencës dhe informacioni kontradiktor për çështjen e transportit të dhjetëra kontejnerëve me mbetje të rrezikshme që dyshohet se kanë dalë nga territori shqiptar drejt Tajlandës, ka shqetësuar opozitën.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kërkon nga autoritetet shpjegime lidhur me këto ngarkesa me mbetje toksike. Në një shënim në mediat sociale, Bardhi deklaron se nëse anija me mbetje të rrezikshme kthehet në portin e Durrësit është cenim i sigurisë kombëtare, ndaj kërkon reagim shtetëror.

“Duhet menjëherë dhe pa asnjë vonesë që Qeveria Shqiptare të informojë Kuvendin e Shqipërisë dhe opinionin publik se për çfarë bëhet fjalë, kujt i përkasin mbetjet e rrezikshme, si janë krijuar apo kanë mbërritur në Shqipëri, si janë lejuar të eksportohen pa lejet përkatëse nga Porti i Durrësit, kush ika lejuar të futen dhe të dalin prej territorit të Republikës së Shqipërisë, nga dhe përmes Portit të Durrësit”.

Bardhi evidenton edhe kontradiktat mes një reagimi për disa media të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit që fliste për mbetje të dala nga Metalurgjiku, si dhe kundërpërgjigjes së kompanisë Kurum që mohonte çdo lidhje me mbetjet e nisura me anije drejt Tajlandës.

“Në këtë rast ka vetëm një të vërtetë. Ose Ministria e Mjedisit ka gënjyer për të mbrojtur trafikantët e vërtetë të materialeve të rrezikshme, dhe në këtë rast ky është një krim shtetëror, që duhet të marrë ndëshkimin shembullor; ose kompania “Kurum International” ka gënjyer për të mbuluar shkeljen e ligjit prej saj dhe kjo duhet të shoqërohet menjëherë me masa të forta ndëshkimi nga institucionet përgjegjëse. Heshtja apo mosveprimi institucioneve pas përgënjeshtrimit publik nga ana e kompanisë “Kurum International”, ngre hije të forta dyshimi për një tentativë shtetërore për të manipuluar rrethanat e kësaj çështje me impakt kombëtar dhe ndërkombëtar”.

Edhe Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, reagoi me shqetësim lidhur me këtë çështje. Në një deklaratë për mediat, ai teksa akuzoi të gjitha autoritetet shtetërore si të përfshira në çështjen e transportit të kontejnerëve me mbetje toksike.

“Një operacion mafioz ndërkombëtar që topiti të gjithë shtetin. Duke asgjësuar të gjithë shtetin, duke përfshirë të gjitha institucionet e sigurisë që nga SHISH, SPAK, Policia e Shtetit, Doganat që nuk panë gjë dhe nuk reaguan dhe nuk mbajnë asnjë përgjegjësi publike. Edi Rama është përfituesi i drejtpërdrejtë i transportit me mbetje toksike nga Shqipëria drejt Tajlandës dhe Kinës”.

Këtë çështje, Meta e lidh edhe me nismën e qeverisë për rikthimin e ligjit që lejon importin e mbetjeve jo të rrezikshme.

“Jemi këtu për të dënuar rikthimin fshehurazi nga qeveria Rama të projektligjit për importin e plehrave, pikërisht në kulmin e shpërthimit të skandalit të përfshirjes së Edi Ramës në trafikun ndërkombëtar të mbetjeve toksike. Që provon se plehrat janë kthyer në një minierë të thellë korrupsioni dhe zhvatjen çdo ditë të qindra milionë eurove, por edhe helmimit të qytetarëve shqiptarë”.

Meta pohoi se do të kërkojë nga deputetët e Partisë së Lirisë që hetojnë në Kuvend çështjen e transportit të mbetjeve të rrezikshme. Njësoj si Presidenti i Partisë së Lirisë edhe Gazment Bardhi premton se me nisjen e sesionit të ri parlamentar do punojë për zbardhjen e kësaj çështje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos