Këmba e karriges në kornizë, Spiropali me “hajmali” nga aksioni i PD, BE i tregon prioritet anti-korrupsionin

Nga Anesti Barjamemaj
3 Tetor 2024, 15:21 | Politikë

Një prej këmbëve të karriges që fluturoi në Kuvend për të goditur Elisa Spiropalin tashmë ndodhet e kornizuar në zyrën e saj. Kryetarja e Kuvendit duket se ka nisur ta kthejë në koleksion hajmalish aksionin e opozitës, siç tregoi në tryezën e Forumit Rajonal për Politikat e Mirëqeverisjes dhe Antikorrupsionit, teksa në krah të ambasadorit të BE dhe kreut të SPAK, pohoi se këtë dhuratë ia kishte bërë stafi i saj i ngushtë.

“Do ta mbaj ca kohë në zyrë atë kornizën e xhamtë me brenda copën e drunjtë që u hodh egërsisht kundër meje. Pastaj do e marr në shtëpi ta kem si një kujtim të keq apo si një mësim të mirë që dëshmon se dhuna është kurdoherë e dënueshme, në çdo formë që ajo shfaqet. Edhe me forcën e kartonit, edhe me brutalitetin e zjarrit që u shfaq ditët e fundit në Kuvend”, tha Elisa Spiropali,  kryetare e Kuvendit.

Teksa Spiropali fliste për dhuratën simbolike të marrë nga stafi, përfaqësuesi i Brukselit i dhuroi një liste me prioritete , duke i treguar kryetares së Kuvendit se ku duhet të fokusohet lufta kundër korrupsionit.

“Përpjekjet antikorrupsion duhet të jenë të dukshme, duke përfshirë parandalimin, zbatimin e ligjit dhe ndjekjen penale. Ne presim që puna e qeverisë për punën antikorrupsion 2024-2030 të përfundojë së shpejti dhe pas miratimit presim zbatimin e plotë të kësaj strategjie, në veҫanti në sektorë me rrezik të lartë si Kadastra, Administrata Tatimore, Dogana, Prokurimi Publik, arsimi dhe shëndetësia. Po aq e rëndësishme është që partnerët në rajon të shmangin veprimet që minojnë përpjekjet antikorrupsion. Për shembull dobësimin e transparencës në prokurimin publik apo akte ligjore të porositura që anashkalojnë procedurat standarde apo kufizimin e mandateve të organeve të pavarura antikorrupsion”, u shpreh ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato.

Pikërisht te pavarësia institucionale u ndal kreu i SPAK, Altin Dumani, teksa renditi arritjet e punës së prokurorëve në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Kemi edhe garancitë kushtetuese dhe ligjore, që kjo strukturë e posaçme të ushtrojë në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar funksionet e saj. Kur them pavarësi kam parasysh e jashtme nga pushtetet e tjera dhe pavarësinë e brendshme, që është pavarësia e prokurorëve të çështjes në ushtrimin e ndjekjes penale. Dhe pavarësia e tyre nga drejtuesi i prokurorisë”, tha kreu i SPAK, Altin Dumani.

Dumani shtoi se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është sfidë vetëm e SPAK-ut, por kërkon angazhim të veçantë të të gjitha autoriteteve shtetërore dhe shoqërisë civile. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos