Zgjedhjet në Kukës, Dibër e Korçë, KAS shtyn tre vendimet, PD fiton kohë për prova të reja

Nga Arestina Skënderi
30 Maj 2025, 19:29 | Politikë

Tri ankesat e PD pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, për qarqet Kukës, Dibër dhe Korçë, u shtynë për javën e ardhshme, ndërsa kërkuesve iu la më shumë kohë për të paraqitur prova të tjera.

Kukësi ishte i pari që çeli serinë. Ndonëse PD ishte fituese, kërkon nga KAS pavlefshmëri të zgjedhjeve për këtë zonë zgjedhore me pretendimin se u tjetërsua vullneti i qytetarëve, por nuk ishte ende gati me paraqitjen e provave, ndaj dhe përfaqësuesi ligjor i  PD Franc Nuri kërkoi më shumë kohë, kërkesë e cila u pranua.

Qarku Dibër ishte shënjestra tjetër e opozitës për të ashtuquajturën farsë elektorale, ku sërish kërkon rinumërim në disa qendra votimi për shkak të disa parregullsive në numwrimin e votave. Kur KAS i kërkon fakte, përfaqësuesi tjetër ligjor i PD Marash Logu u përfshi në debat se kush e kishte përgjegjësinë e gjetjes së tyre. Vendimi u shty për në datën 5 qershor duke i dhënë përsëri kohë PD-së.

Korça është një nga qarqet në të cilat PD ka paraqitur më shumë denoncime, pohoi përfaqësuesi ligjor Franc Nuri, por këtë herë në KAS solli rastin e burgut të grave të fshatit Pojskë në Pogradec, që sipas tij nuk kanë pasur qendër votimi të posaçme. Përsëri nuk munguan pretendimet për deformim të votës, arsye për të cilat KAS i dha ankimuesve më shumë kohë që deri në datën 4 qershor të sjellin prova mbështetëse.

PD është zotuar se do të ankimojë rezultatin për çdo qark, pasi nuk i njeh zgjedhjet e 11 majit dhe i konsideron ato një farsë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos