Reforma në Drejtësi e miratuar unanimisht me 140 vota në vitin 2016, për Sali Berishën duhet të zhbëhet, shkruan A2 CNN. Në një konferencë për mediat, kreu i Partisë Demokratike pohoi se drejtësia e re ka dështuar në çdo aspekt dhe është shndërruar në një degë të ekzekutivit.
“PD i bën thirrje Parlamentit Europian, Komisionit Europian, vendeve partnere të heqin dorë nga çdo mbështetje e kësaj drejtësie të kriminalizuar, të kontrolluar në çdo qelizë të saj nga kreu i narkoshtetit Edi Rama dhe regjimi i tij. Të angazhojnë Komisionin e Venecias për një rishqyrtim tërësor të këtij sistemi”, tha Berisha.
Për të mbështetur kërkesën, iu referuar një raporti të World Justice Project, shoqëruar me disa grafikë. “Projekti i Drejtësisë në Botë, vlerëson një seri treguesish të shtetit ligjor dhe të funksionimit të drejtësisë dhe konstaton një rënie dramatike të këtyre treguesve në vitin 2024, krahasuar me vitin 2015”, tha Berisha.
Lideri i opozitës pati një thirrje edhe për qytetarët që ti bashkohen protestës së thirrur nga Partia Demokratike pasditen e të martës. “Diktatura të ardhme nuk ka. Me datën 29, shqiptarët të gjithë në protestë”, tha kreu i PD. (A2 Televizion)