Këshilli i Ministrave propozon Adela Xhemalin për drejtoreshë të AMF-së

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2025, 15:46 | Politikë

Këshilli i Ministrave propozon Adela Xhemalin për drejtoreshë

Këshilli i Ministrave i ka propozuar zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë kandidaturën e Adela Xhemalit, për pozicionin e anëtarit të bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do të mbajë funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv.

Megjithëse vendimi i Këshillit të Ministrave është marrë më datë 25 shtator, ai i është përcjellë Kuvendit të Shqipërisë vetëm në fillim të këtij muaji.

Për një periudhë pesëvjeçare, deri në muajin maj të këtij viti, Adela Xhemali ka mbajtur detyrën e zëvendësministres së Financave. Më herët, ajo ka ushtruar funksione drejtuese në Ministrinë e Financave dhe në Kryeministri.

Përpara angazhimit në sektorin publik, Adela Xhemali ka pasur një përvojë të gjatë në sektorin bankar, duke përfshirë detyrën e drejtorit së Financës së Bankës Amerikane të Shqipërisë dhe më tej të Bankës Intesa Sanpaolo Shqipëri.

Adela Xhemali do të zëvendësojë në këtë detyrë Mimoza Kaçin, që e drejtoi Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare prej prillit 2024, duke përfunduar mandatin e ish-drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv, Ervin Mete.

Prej disa muajsh, AMF ishte në situatën kur mandatet e të dy drejtuesve ekzekutivë ishin vlerësuar të përfunduar. Sipas ligjit organik të AMF-së, në rast të lirimit nga detyra të ndonjërit prej anëtarëve të Bordit përpara afatit, anëtari tjetër emërohet me të njëjtën procedurë, siç është emëruar anëtari që lirohet, për periudhën deri në përfundim të mandatit të anëtarit që lirohet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos