
Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar nga burgu për projektligjin e barazisë gjinore, i cili pritet të votohet sot në parlament. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i PL-së e cilëson këtë ligj antiatdhe që godet familjen shqiptare.
“Aleatët e errësirës kanë vendosur të fusin sonte për miratim në Kuvend, në orët e vona, ligjin anti-Familje dhe anti-Atdhe të "barazisë gjinore", që godet në ADN familjen shqiptare dhe vlerat e shenjta të saj, si dhe kombin tonë, identitetin, traditat, historinë e kulturën”.
Sipas ish-presidentit të Republikës “miratimi i këtij ligji të zi, të kundërshtuar nga të gjitha komunitetet fetare, në fakt është detyrim-përcaktim që "Rilindja" ka ndaj qarqeve mafioze ndërkombëtare që duan të shkatërrojnë Shqipërinë”.
Duke e cilësuar si pjesë të një agjende antikombëtare, Meta thekson se kush e voton këtë projektligj, voton kundër familjes dhe kombit.
“Është avancim i një agjende antikombëtare të këtij Sekti, që në vazhdën e shpopullimit dhe shndërrimit të Atdheut në fermë të surogacisë, kërkon të shpërbëjë edhe me ligj familjen shqiptare. Kush voton sot në errësirë pro këtij ligji voton kundër Familjes dhe Kombit Shqiptar!” (A2 Televizion)
