"Çmoj familjen burrë grua", Gogu: Nuk po shpikim gjini të reja, po heqim barrikadat e paragjykimeve

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2025, 13:52 | Politikë

"Çmoj familjen burrë grua", Gogu: Nuk po shpikim gjini

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, gjatë fjalës së tij në Kuvend lidhur me projekt-ligjin për barazinë gjinore, tha se të vetmet gjini në Shqipëri janë burrë dhe grua dhe shtoi se ligji i ri nuk do të prekë Kodin e Familjes.

“Është thënë se ky projektligj paska “deriçka të fshehta”, që të çojnë në rrugë pa kthim. Jo. Teksti merret me barazinë burrë grua në jetën publike. Paga të barabarta për punë të barabartë, shanse të barabarta, respekt të barabartë, dhe qartëson zbatimin në sektorin publik e privat sipas standardeve të BE-së. Nuk prek Kodin e Familjes, gjendjen civile apo martesën; nuk “shpik gjini të reja”; nuk imponon bindje mbi ndërgjegjen. Konceptet si “orientim seksual” apo “identitet gjinor” janë të njohura në korpusin tonë ligjor që prej 2010-s. Ky projektligj vetëm përforcon mekanizmat e zbatimit në arsim, punësim dhe shërbime. Ai është hartuar nga institucionet shqiptare në dialog me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokatin e Popullit, degën e OKB-së për gratë dhe partnerë të tjerë, dhe përafron 10 direktiva të BE-së”, tha Gogu, shkruan A2.

“Si bir i kësaj shoqërie, e çmoj familjen burrë dhe grua. Ky projektligj e ndihmon atë, me pagesë të barabartë, kundër diskriminimit dhe me rregulla të qarta zbatimi. Kundërshtarët realë të familjes nuk janë barazia dhe dinjiteti, por dhuna, varfëria, varësitë, mungesa e shërbimeve dhe emigracioni i detyruar. Ne nuk po prishim gardhin e dallimeve, po heqim barrikadat e paragjykimeve që ua sekuestrojnë të drejtat më të dobtëve”, shtoi Gogu.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos