Këshilltarët bashkiakë të Partisë Demokratike i kanë drejtuar një kërkesë kryetares së këshillit Bashkiak të Tiranës Megi Fino, dhe sekretarit Behar Zeneli në lidhje me mbledhjen e nesërme të këtij këshilli. Në letrën e këshilltarëve demokratë kërkohet që mediat të jenë të pranishme gjatë zhvillimit të kësaj mbledhjeje që do të nisë në orën 13:00, raporton A2 CNN.
Sipas tyre kjo është një kërkesë e përsëritur prej dy vitesh nga ana e demokratëve.
Kërkesën e publikuar në rrjetet sociale, këshilltari Dorian Teliti e shoqëron me postimin për të drejtën e transparencës së çdo qytetari dhe respektim të ligjit.
“Liria e medias është jetike. E drejta e mediave për të ndjekur live në sallë mbledhjet e Këshillit Bashkiak të Tiranës është e drejtë ligjore e tyre. E drejta e çdo qytetari për transparencë mbi vendimet që merren për ata dhe në emër të tyre, është e drejtë kushtetuese!”, shkruan Teliti krahas kërkesës.
(A2 Televizion)