Komenton largimin e Deromemajt, Berisha vijon denoncimet: U dhanë 6 mijë legalizime para zgjedhjeve

Nga Anesti Barjamemaj
25 Qershor 2025, 15:21 | Politikë

Humbjen në zgjedhjet e 11 Majit, Sali Berisha, vijon mos ta pranojë duke e konsideruar procesin si farsë. Nga selia blu, lideri i opozitës publikoi të dhëna që sipas tij kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve në favor të partisë në pushtet.

Në shkelje të ligjit, pohoi ai, janë dhënë më shumë se 6mijë legalizime para dhe gjatë fushatës elektorale. Për ta ilustruar publikoi një video që sipas tij tregon zyrtarë të shtetit duke shpërdnarë dokumente në një lagje të Tiranës.

“Këtu jemi tek Fresku. Këta kriminelë elektoralë po ndajnë atyre certifikata pronësie, leje legalizimi. Është vetëm pak ditë para fushatës elektorale. Publikisht! Natyrisht janë në mbrojtjen e plotë të Altin Troplinit dhe Skapit të partisë”.

Teksa Berisha kërkon të bindë demokratët dhe gjithë opinionit publik se zgjedhjet ishin farsë, kanë nisur dhe ikjet e para të zyrtarëve të opozitës drejt pushtetit. I pyetur për emërimin e ish-kreut të PD në Vlorë, Genc Deromemaj në drejtimin e Kadastrës së këtij qyteti, lideri demokrat pohoi se  ishte njoftuar prej tij që do shkëputej nga aktiviteti politik pak ditë më parë.

“Kjo është një zgjedhje e tij dhe unë personalisht e kam thënë dhe e përsëris prapë, thelbin e lirisë e konsideroj të drejtën e zgjedhjes së njeriut. Ai ka bërë një zgjedhje, ka marrë një funksion, ka marrë një post, të cilin një demokrat nuk e merrte kurrë, por zgjedhja është e tij...Investimin ai e ka pasur në PD, se si gjeti këtë vlerësim të lartë nga partia e krimit, është puna e tij, nuk kam dijeni”.

Një koment e pati edhe për urdhrin ekzekutiv Donald Trump për të zgjatur atë që e quan gjendjen e emergjencës kombëtare në Ballkanin Perëndimor, me qëllim mbajtjen e një vëmendje të shtuar ndaj të korruptuarve në rajon.

“Ramaduro, Ramaduro, çfarë komenti tjetër doni...” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos