Kryeministri Edi Rama ka nisur vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një takim me komunitetin shqiptar në Michigan.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se takimi zhvillohet me ftesë të komunitetit shqiptar që jeton në këtë shtet, ndërsa u bëri thirrje edhe bashkëkombësve të tjerë në SHBA që t’i bashkohen aktivitetit.
“Këtë herë vizita e javës së Kombeve të Bashkuara në Amerikë nis sot pasdite me shqiptarët dhe për shqiptarët, në Michigan, ku kam nderin të jem i ftuar nga komuniteti e ku ftoj këdo që dëshiron të vijë të na bashkohet”, shkroi Rama.
Pas takimit me komunitetin shqiptar, kryeministri do të vijojë vizitën e tij në Nju Jork, ku do të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Rama pritet të mbajë fjalimin e tij në OKB të premten, më 25 shtator, në kuadër të punimeve të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme. (A2 Televizion)