Të premten e 8 dhjetorit në orën 11:00 delegatët e PS do të mblidhen te Pallati i Kongreseve për të marrë pjesë në Kongresin e Jashtëzakonshëm të kësaj force politike. A2CNN ka mësuar se pas fjalimeve të Kongresit do të vijohet me vendimet e Asamblesë Kombëtare.
Në këtë të fundit do të miratohet vendimi "për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme në parti" si dhe do të votëbesohet Sekretariati Ekzekutiv i PS që mori detyrën në fillim të shtatorit.
Sekretari për Dixhitalizimin dhe Rininë, Etjen Xhafaj tregoi për A2 detajet e Kongresit.
“Në Kongresin e PS do të prezantohet platformë 7 pikëshe për riorganizimin e PS nga Sekretariati i ri Ekzekutiv dhe sigurisht edhe ky sekretariat më pas në bazë të prezantimeve që do të bëjmë do të votëbesohet nga Asambleja Kombëtare e PS.”
Përveçse do të caktohet data e Kongresit zgjedhor për vitin e ardhshëm, socialistët do të kenë mundësi që në 6 panele të paraqesin arritjet dhe sfidat për fushat kryesorë të qeverisë së majtë.
“Do të kemi edhe piketat kryesore për atë që është ecuria e këtij procesi riorganizimi në vitin në vijim për t’u përgatitur për zgjedhjet 2025.”
Xhafaj flet edhe 8 dhjetorin, një simbolikë e zgjedhur nga socialistët për të treguar forcën politike përballë rëndësisë së kësaj ditë për kundërshtarët.
“Partia Demokratike nuk ka absolutisht ekskluzivitetin e datës 8 dhjetor. Është Dita e Rinisë, është një ditë e rëndësishme për të gjitha forcat politike në Shqipëri, por është shumë e rëndësishme edhe për ne që duam të fokusohemi shumë te rinia.”
Takimi i delegatëve socialistë që pritet të zgjasë rreth 3 orë është parashikuar të mbyllet me fjalimin e Kryetarit të Partisë, njëherësh edhe Kryeministri i vendit Edi Rama. (A2 Televizion)