Emigrantët në Lezhë, Komisioni i Sigurisë miraton online marrëveshjen me Italinë pas bllokimit të opozitës

Nga Ervin Koçi
6 Dhjetor 2023, 15:09 | Politikë

Kuvendi i dha dritën e parë jeshile marrëveshjes me Italinë për ngritjen e qendrës pritëse të emigrantëve në Lezhë duke e miratuar në Komisionin e Sigurisë.

Tentativës së opozitës për të bllokuar mbledhjen, maxhoranca iu përgjigj duke e zhvilluar online. Marrëveshjen e prezantoi Ministri i Brendshëm Taulant Balla ku u shpreh se asnjë emigrant që transferohet nga Italia nuk do të ketë të drejtën të aplikojë për azil në Shqipëri, ndërsa dalja e tyre nga kampi është e ndaluar.

Demokratët u paraqitën të shumtë në numër në Komisionin e Sigurisë për të bllokuar zhvillimin e mbledhjes. Këtë here kishin një arsye të dyfishtë, jo vetëm mosbindjen civile brenda parlamentit, por edhe rendin e ditës ku për shqyrtim ishte futur marrëveshja për emigrantët me Italinë.

Në pamundësi për të bindur demokratët, socialistët ndezën platformën zoom duke kaluar online. Taulant Balla bëri prezantimin e aktit duke u shprehur se në kampin që do të ndërtohet në Gjadër të Lezhës nuk do të mund të qëndrojnë më shumë se 3 mijë emigrantë njëkohësisht dhe se atyre u ndalohet dalja.

Por çfarë ndodh kur ata arratisen, a mund të marrin azil në Shqipëri?

Kush del, kthehet në kamp. S’kanë të drejtë të kërkojnë azil pasi do të kthehen në Itali.

Opozita e cilëson këtë marrëveshje si antikushtetuese dhe oponencën juridike zgjodhi ta bëjë kryetari i Komisionit të Sigurisë, Nasip Naço.

Marrëveshja është plotësisht e bazuar në kushtetutë.

Në mungesë të demokratëve, marrëveshja gjeti konsensus në miratimin e saj në parim. Tashmë akti do të shqyrtohet edhe nga komisioni i ligjeve përpara se sa të shkojë për miratim në seancën plenare të 21 dhjetorit.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos