Konsultimi publik në qeverisje, Balla flet për shtim transparence, Tabaku e quan proces fals

Nga A2 CNN
12 Dhjetor 2024, 15:20 | Politikë

Konsultimi publik në qeverisje, Balla flet për shtim transparence,

Konsultimi publik në qeverisjen qendrore ishte akti i radhës së përplasjes mes qeverisë dhe opozitës, në një aktivitet të organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.

Ministri i Shtetit Taulant Balla foli për rritje të transparencës, ndërsa deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e quajti fals procesin konsultativ.

“Jemi në një fazë ku konsultimin publik nuk mund ta bëjmë për sy e faqe, por ta bëjmë të plotë dhe rrënjësor”, tha Balla.

“Unë arrita që duke hyrë këtu të kapja thelbin e qeverisë për konsultimet publike. Pyet 100 vjet dhe bëj si di vetë”, u shpreh Tabaku.

Balla tregoi për një projekt të ri të qeverisë shqiptare, për të rritur transparencën dhe llogaridhënien, por Tabaku e pa me dyshim duke marrë shembullin e mos dhënies së informacionit për negociatat që po zhvillohen me Bashkimin Evropian.

 “Do të kemi një faqe publike, ku do të bëhet transparencë për çdo qindarkë të shpenzuar nga qeveria”, deklaroi Balla.

“Qeveria shqiptare pozicionet negociuese të saj nuk i publikuar. Ne kemi një mungesë transparence vetë në procesin e integrimit, atëherë çfarë presim që ky proces konsultimi të ndodh jo vetëm në procesin ligjbërës por përtej saj”, vijoi Tabaku.

Këto komente u bënë gjatë konferencës ku u publikua raporti i monitorimit “Konsultimi Publik në Qeverisjen Qendrore 2022-2023”, të kryer nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos