Politologu Afrim Krasniqi thekson se ka deputetë që janë në konflikt interesi pasi kanë votuar amnistinë penale për të nxjerrë anëtarë të familjes së tyre nga burgu.
Krasniqi vë në dukje se kjo ndodh ndërkohë që të rinjtë protestues dërgohen nga policia për ndjekje penale, diçka që sipas tij nuk ndodh në asnjë vend të BE-së.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Krasniqi shprehet: “Këta kanë dalë kundër këtyre dhe këta tani na thonë që ja ne ua kemi krijuar lirinë që të protestojnë! Jo mo jo, ku keni vjedhur aq shumë dhe e keni çuar Shqipërinë në atë pikë sa njerëzit u detyruan të dalin në rrugë. Ju duhet të ndiheni të turpëruar, jo krenarë për këtë gjë! Dhe teza që na thuhet që ja po bëhen protesta demokratike për të treguar që Shqipëria është vend ndryshe është absurde, fyese. Parlamenti nisi në orën 10:00, dhe krijuan mizanskena deri sa të vijë deputeti dhe të bëhen 84 për të miratuar ligjin. Retorika që u bë aty sot në debatin parlamentar s’kishte lidhje me atë që ndodh përjashta, por për të përfituar nga ajo që ndodh përjashta. Nuk u diskutua problematikat për të cilat qytetarët po flasin me zë të lartë. PS sot ndihet krenare, i bëri 84 vota, ua ktheu borxhin se është e vetmja parti në Europë që fiton 100 për qind votën e të burgosurve. Ne e monitorojmë Parlamentin dhe ka një term aty ‘konflikt interesi’. Ka deputetë që kanë votuar për të liruar anëtarët e familjes së tyre nga burgu. Kjo ndalohet me ligj dhe Kushtetutë. Të gjithë këta të rinjtë i ka dërguar në ndjekje penale. Ku ka një polici në një vend të BE që dalin qindra mijëra qytetarë kundër korrupsionit dhe policia i dërgon për ndjekje penale”.
(A2 Televizion)