Dy makinat e reja që policia përdor për të shpërndarë protestuesit nuk janë blerë, por në Shqipëri kanë ardhur nga partnerët. Drejtori I policisë së shtetit nuk ka bërë të ditur se cili nga aleatët u erdhi në ndihmë, por në parlament zbuloi dhe foto të efektivëve të lënduar.
Në dy javët e para të protestës së nisur nga studentët policia veproi me gaz lotsjellës por dhe me makina ujëhedhëse. Mjetet u përforcuan në tubimet e fundit të konsideruar kombëtare me dy automjete të reja.
Kreu i Policisë së shtetit sqaron se ato nuk janë të blera, edhe pse nuk tregon se nga cili shtet janë marrë.
Deklaratën e bëri në argumentimin e buxhetit për policinë, ndërsa u përball me opozitën që e cilësoi rritjen e fondit pikërisht për shkak të situatave të fundit.
Për demokratët dhuna ka qenë jo proporcionale.
Ndërsa mazhoranca argumentoi situatën e dyanshme.
Me foto në duar Skënder Hitaj paraqiti efektivët e dëmtuar me gurë e me molotov.
Të ndarë në disa grupime ndryshe nga mesi I tetorit ku protestat ishin të përditshme, tashmë deklarohen tubime dy herë në javë. (A2 Televizion)