Kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD), Besart Xhaferri, i ftuar në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, shpjegoi pse protesta e opozitës në Shqipëri nuk grumbullon aq shumë njerëz sa janë parë në protestat e zhvilluara në Beograd.
“Prindërit shqiptarë ndoshta nuk e vlerësuan protestën që ne bëmë sepse u vulgarizua si protestë kundër TikTok-ut. Ne ishim në protestë kundër censurës”, tha Xhaferri.
Kur u pyet pse të rinjtë në Tiranë nuk grumbullohen si të rinjtë që protestuan në Beograd, Xhaferi u përgjigj: “Të rinjtë kanë mënyra të ndryshme për të protestuar. Unë mendoj që të rinjtë shqiptarë mbajnë rekord për protesta sepse kanë emigruar gati 1 milion njerëz. Kanë protestuar duke u larguar nga ky vend përgjithmonë. Të ndahesh për së gjalli nga prindërit, të provosh jashtë shtetit fatin, është akti më i madh i protestës ndaj vendit tënd. Sigurisht që opozita ka gabuar në kapitalizimin e atyre të rinjve që ishin akoma në vend dhe patjetër që kemi fajet tona që ata të rinj humbën shpresën, por ajo është një opozitë që e ka mbyllur kapitullin e gabimeve”.
(A2 Televizion)