Tragjedia në Koçan të Maqedonisë së Veriut ka tronditur edhe Shqipërinë. Presidenti Bajram Begaj në një postim në mediat sociale, teksa shpreh ngushëllimet për viktimat e kësaj tragjedie uron dhe shërim të shpejtë për të lënduarit.
“I përcjell po ashtu kryeministrit Mickovski dhe autoriteteve të vendit fqinj ngushëllimet në emër të Shqipërisë e shqiptarëve, duke shprehur gatishmërinë për çfarëdo qoftë ndihma jonë mund të jetë e nevojshme”, shkruan Begaj në rrjetin X.
Kryeministri Edi Rama shkruan se është i tronditur nga kjo tragjedi dhe shpreh ngushëllimet për viktimat. “Lutjet e mia dhe të popullit shqiptar shkojnë për të lënduarit, që të gjejnë shërim të shpejtë e të mos rëndojë më shumë dhimbja në qytetin e Koçanit”, vijon reagimin e tij kreu i qeverisë.
Një mesazh ngushëllimi ka ardhur edhe nga Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila shkruan se “në këtë të diel të trishtuar, jam pranë familjeve që humbën njerëzit e tyre të dashur”.
Spiropali shton se uron që populli maqedonas dhe autoritetet të kenë “forcë e kurajë në përballimin e kësaj fatkeqësie të madhe.” (A2 Televizion)