Tragjedia me 50 viktima dhe 118 të plagosur në Koçan të Maqedonisë së Veriut ka sjellë edhe reagimin e politikës shqiptare. Pas kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Bajram Begaj ka reaguar edhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali. Ajo shpreh ngushëllimet për ngjarjen pikëllues ku humbën jetën dhjetëra djem e vajza në klubin e natës.
“Pikëllues lajmi mbi tragjedinë e tmerrshme në Koçan të Maqedonisë së Veriut, ku humbën jetën disa dhjetëra vajza e djem. Në këtë të diel të trishtuar, jam pranë familjeve që humbën njerëzit e tyre të dashur. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë. Forcë e kurajë popullit dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut në përballimin e kësaj fatkeqësie të madhe”, shkruan Spiropali.
Nga burgu ka reaguar edhe kreu i PL-së Ilir Meta, i cili shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin me Maqedoninë fqinje.
“Me hidhërim dhe tronditje të thellë përcolla tragjedinë e madhe në Koçan të Maqedonisë së Veriut. Në këtë ditë të rëndë, unë dhe Partia e Lirisë u shprehim ngushëllimet më të ndjera familjeve të viktimave për humbjet e mëdha dhe të pazëvendësueshme dhe lutemi për shërim sa më të shpejtë të të mbijetuarve! I përcjell Kryeministrit Hristijan Mickoski, autoriteteve dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut fqinje dhe mike solidaritetin e plotë dhe qëndrojmë pranë tyre në këto momente të dhembshme!”.
(A2 Televizion)