Belind Këlliçi, i ftuar në studion e “Ditarit” me Erion Dushin në A2 CNN, deklaroi se polemikat mbi listën e kandidatëve të Partisë Demokratike erdhën për faktin se partia më e madhe opozitare ishte e kushtëzuar nga koalicioni i madh i krijuar për të rrëzuar nga pushteti Edi Ramën.
“Listë perfekte nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëherë. Përsa kohë kemi të bëjmë me lista që kanë kandidatë me numër të limituar përfaqësuesish të Partisë Demokratike, edhe për shkak të kushtëzimit të aleatëve, dhe përsa kohë do të ketë një limit në lista, përherë do të ketë ambicie që do të mbeten përgjysmë, karriera që do të cenohen, individë që do të jenë të pakënaqur dhe kjo është krejt e natyrshme”, tha Këlliçi.
Sipas tij, “debati i brendshëm është aset në Partinë Demokratike dhe aset është edhe mendimi ndryshe”.
“Është aset që ka përplasje mes politikanëve, sepse kjo tregon që është parti e lirë, ku njerëzit thonë atë që mendojnë. Në ndryshim nga reparti ushtarak në anën tjetër, nga grupi i strukturuar kriminal që drejtohet sot nga Edi Rama, ku janë ndërprerë karrierat e dhjetëra ministrave e deputetëve të PS dhe askush nuk ka guxuar të thotë një fjalë, sepse kështu ka vendosur Edi Rama. Por, që të mbetemi te PD-ja, duke u kushtëzuar nga faktori i koalicionit, që është i stërmadh, me 26 parti, është kushtëzuar të japë 8 mandate në listat e sigurta për aleatët. Pra, janë 8 demokratë që nuk janë pjesë e listës së mbyllur për shkak të këtij kushtëzimi”, u shpreh Këlliçi.
“Ndërsa në listën e hapur ka figura të njohura që do të garojnë, si Ilir Alimehmeti, Jorida Tabaku, Grigels Muçollari, Ilda Zhulali e shumë të tjerë. Këta janë aset i jashtëzakonshëm për PD dhe do të sjellin vota pafund për opozitën. Ka shumë që e meritonin të ishin në listën e mbyllur të PD, por këto ishin hapësirat”, shtoi Belind Këlliçi.
(A2 Televizion)