"Krishtlindje në diktaturën e bandave", Berisha akuza Ramës

Nga Anesti Barjamemaj
25 Dhjetor 2023, 15:20 | Politikë

Sali Berisha zgjodhi që ditën e Krishtlindjes t’ia dedikonte qytetarëve, duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre në mediat sociale. Në bashkëbisedimin online, një ditë para vendimin të gjykatës për arrestin e tij, kreu i Rithemelimit  tha se shqiptarët po festojnë në diktaturë, teksa krahasoi Kryeministrin Rama me Presidentin rus Putin.

“Kërkon të arrestojë kryetarin e partisë më të madhe politike opozitare. Vladimir Putin, këto kohë, ka zhdukur Navalnin edhe nga burgjet, nuk dihet ku është. Pse? Se ka frikë se Navalni do të regjistrohet si kandidat për president. Putin, Navalnin e ka frikë edhe në burg aty ku është. Edi Rama bëri të njëjtën gjë. Nuk lejoi në kundërshtim me ligjin, regjistrimin e emrit tim si kryetar koalicioni”.

Prej javësh ish-kryeministri kërkon mobilizimin e qytetarëve, por në protestat e fundit ata që iu përgjigjën ishin të paktë. Berisha kërkoi sërish prej tyre që të bashkohen me opozitën, pa pritur të reagojnë ndërkombëtarët.

“Duhet t’u them se askush, cilido qoftë, nuk do vijë të protestojë për ne dhe as  të bëjë mosbindje civile për ne, atë e kemi nënë dorë. Sa më të fuqishëm të tregohemi ne në protestën tonë, aq më e madhe do të jetë mbështetja jonë”.

Teksa pret vendimin e gjykatës për ta izoluar në arrest në shtëpi, kreu i Rithemelimit pohoi se nuk ka ndërmend ta dorëzojë drejtimin e partisë, kur u pyet nëse po mendonte për një pasardhës.

“Në këtë situatë Partinë Demokratike do ta drejtojë Sali Berisha. Historia e arrestit të liderëve të opozitës, nuk është e re. Diktaturat e kanë përsëritur dhe kjo po ndodh.”

Edhe pse u tregua i rezervua në detaje, Berisha pohoi se me punët e përditshme partiake do merret kryesia e ngushtë e Rithemelimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos