Kryetari i bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari rrezikon të humbasë mandatin që fitoi në zgjedhjet lokale të 14 Majit, ku në garën me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” Lefter Maliqi, fitoi me diferencë prej 600 votash.
Kjo pasi, në përgjigjen që Prokuroria e Përgjithshme i ka kthyer Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, konfirmohet se Hajdari ka qenë i dënuar në shtetin grek. Për kryebashkiakun ka pasur një dënim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Janinë.
KQZ tashmë ka në duar vendimin e drejtësisë helene, ku Kreshnik Hajdari rezulton të jetë dënuar në vitin 1999 me 4 muaj burg, pasi akuzohej për “Hyrje në mënyrë të paligjshme në territorin Grek”.
Dënimi për kryebashkiakun e Kuçovës është konvertuar në gjobë me vlerën e 1500 dhrahmive, sipas një vendimi të marrë më 23 qershor të vitit 1999.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi pritet që të mbledhë të martën KQZ për të vendosur fatin e mandatit të socialistit Hajdari, i cili drejton bashkinë e Kuçovës në mandatin e tij të dytë.
Kujtojmë se para zgjedhjeve të 14 Majit, Partia e Lirisë kërkoi nga Komisioni Qendor i Zgjedhjeve që Hajdarit t’i hiqej mandati i fituar në 2019 dhe të mos lejohej që të garonte sërish në zgjedhje.
Nënkryetari i PL, Endrit Braimllari tha asokohe se Hajdari kishte fshehur një dënim në Greqi dhe sipas ligjeve në fuqi nuk duhet të ushtrojë detyrën publike.
“Në emër të Koalicionit “Bashkë Fitojmë” i jemi drejtur Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në datë 04.04.2023, mbi verifikimin e pastërti së së figurës së shtetasit Kreshnik Hajdari që në këtë rast është kryetari në detyrë dhe kandidati i Bashkisë Kuçovë për kryetar bashkie ne radhët e Rilindjes, i cili në formularin e vetëdeklarimit ka fshehur deklarimin e dënimit penal në shtetin grek, fakt ky që “sjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi, zgjedhja, emërimi apo nga funksioni publik”, shprehej Brahimllari. (A2 Televizion)