Lefter Maliqi, kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Kuçovës ka publikuar një tjetër video të asaj se çfarë ka ndodhur me procesin e votimit dhe të numërimit të votave në zgjedhjeve vendore të 14 majit të realizuara në këtë bashki.
Në video shihet e dëgjohet një prej anëtarëve të grupeve të numërimit të votave në KZAZ-në e Kuçovës, i cili pohon se ata janë urdhëruar që të heqin nga kutitë e materialeve zgjedhore procesverbalin origjinal të numërimit të votave.
Në dëshminë e tij, anëtari që pretendon se ka qenë përfaqësues i subjektit politik Partia Socialiste thotë se urdhri për zhdukjen e këtij procesverbali është dhënë nga kryetari i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari dhe i zbatuar nga kryetari dhe sekretari i KZAZ-së.
Po ashtu, dëshmitari thotë se nuk e ka zbatuar këtë urdhër dhe i ka ruajtur materialet origjinale duke shtuar se është gati t’ia vërë në dispozicion edhe institucioneve të drejtësisë për të dëshmuar atë çfarë ka ndodhur në të vërtetë në zgjedhjet e 14 majit në Bashkinë e Kuçovës, ku dhe vetë kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Lefter Maliqi e ka çuar këtë çështje në SPAK për hetim.
“Video Skandal/ Krimi shtetëror dhe elektoral në Bashkinë Kuçovë. Mirënjohje të pakufishme mediave për këtë publikim e denoncim, mirënjohje socialistëve të ndershëm për këtë denoncim dhe për çdo mbështetje që me dhanë me votë masive.
Tre kallëzime janë bërë në SPAK kundra Oligarkut Pëllumb Hajdari, pengut të tij Kreshnik Salillari dhe komisionierëve të KZAZ, të qendrave të votimit dhe numërimit. KQZ, KAS, Kolegji zgjedhor, SPAK, Prokuroria e Përgjithshme të veprojnë.
Faktori ndërkombëtar është vënë në dijeni për këtë krim shtetëror dhe elektoral. Njoftuam OSBE-ODHIR, ambasadat e huaja etj.
S’do ndalemi deri në zbardhjen e së vërtetës në rrugë politike, ligjore dhe ndërkombëtare. Ndëshkim ligjor dhe këmbëngulje për zbardhjen e të vërtetës. Bashkinë e grabitur do ja kthejmë qytetarëve”. (A2 Televizion)
DENONCIMI I LEFTER MALIQIT