Pas Prokurores Gjeli dhe Gjykatësit Balliu, Kryeministri Edi Rama ka sulmuar një tjetër përfaqësues të drejtësisë, Gjykatësin Klarent Demiri, shkruan A2 CNN. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, ai shprehet se do t’i drejtohet organeve të pavarura të drejtësisë për këtë gjyqtar, pasi sipas tij, ai ka penguar me vendim gjykate çlirimin e një hapësire publike.
Në reagimin e tij, Edi Rama e bën të qartë se gjatë këtij mandati të katërt, qeveria e tij nuk do ta tolerojë më, as në heshtje, as duarlidhur, asnjë përfaqësues të pushtetit të pavarur gjyqësor që pavarësinë e tij do ta keqpërdorë për të cenuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv, duke penguar përmes shpërdorimit arbitrar të detyrës së vet zbatimin e programeve, projekteve apo vendimeve në interes të publikut.
Në fund, ai u bën thirrje prokurorëve dhe gjyqtarëve për përkushtimin e tyre ndaj Reformës në Drejtësi. (A2 Televizion)