Ka mbërritur në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier, 25-vjeçari Xhesion Toromëni, autor i dyshuar i vrasjes së ndodhur mbrëmjen e 19 gushtit në ambientet e jashtme të një lokali në Kryekuq të Divjakës.
Pas dy goditjeve me thikë mbeti i plagosur rëndë 32- vjeçari Besmir Kumria i cili ishte në shoqërinë e miqve të tij dhe pavarësisht përpjekjeve të dëshmitarëve okularë për ta shpëtuar, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Menjëherë pas krimit, autori u largua gjakftohtë në errësirën e natës, por u kap pas disa orë ndjekje nga shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, shkruan A2 CNN.
Nga hetimet paraprake dyshohet se Xhesion Toromëni e ka vrarë 32 - vjeçarin pasi familjet e tyre kanë patur konflikte të vazhdueshme për një kanal vaditës në fshat, megjithatë motivet ende mbeten të paqarta.
Besmir Kumria punonte në zonën e Himarës gjatë muajve të verës së bashku me vëllain e tij, ndërsa autori për 7 vite nuk kishte shkelur në Kryekuq. Në fakt motivet mbeten ende të paqarta, ndërsa sot autori do të dalë para trupit gjykues të përbërë nga gjyqtarja Aurora Tushe. Mbi 25 vjeçarin rëndojnë veprat e rënda penale “Vrasja me paramendim” dhe “ Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. (A2 Televizion)