Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur edhe sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në zbatim të masës së sigurisë të caktuar nga Gjykata e Posaçme.
Zoti Berisha, në daljen para mediave, komentoi mbi garën për kryeprokurorin e ri. “Jo, ne nuk marrim pjesë në përzgjedhje emrash. Pas aktit të tyre me Avokatin e Popullit, ne kemi ndërprerë çdo lloj bashkëpunimi në përzgjedhjen e emrave”, tha ai, përcjell A2 CNN.
Por mund të them që Prokurori i Përgjithshëm sot është institucioni më i zhveshur nga çdo kompetencë. Dhe kur dëgjoj raportin e tij, ai flet sikur është drejtor i statistikave të policisë. Është, për mendimin tim, një zhveshje e gabuar që i kanë bërë atij, sepse ai është institucion kushtetues. Është institucion kushtetues dhe ta lësh atë sa për disa statistika, kjo është një akt, mendoj, që mund të rishqyrtohet si institucion, për të korrigjuar disa gabime që janë bërë.
Për shembull, këta këtu hetojnë veten e tyre. Nuk ndodh në botë këtu. Nuk ndodh në botë që një institucion, për çështje penale, se hajde administrative, por për çështje penale, të hetojë veten e tij.
Atëherë është e domosdoshme që një institucion tjetër, natyrisht, meqë këta janë institucion kushtetues, një institucion tjetër kushtetues, të marrë disa atribute, në mënyrë që askush të mos ndihet mbi ligjin e të tjera.
Por, në këtë formë siç e kanë katandisur komplet Prokurorinë e Përgjithshme, ai institucion nuk ka një rol që duhet ta ketë”.
Ai foli edhe për hetimin për biznesmenin Ermal Beqiri. “Kështjella është e Ermal Beqirit apo e Edi Ramës dhe Olsi Ramës? Se ju e patë, ai kishte kështjellë, kishte jahte, kishte avion, pasuritë e shqiptarëve, rrogat, pensionet e tyre të vjedhura dhe të shtruara në pasuri përrallore nga Ermal Beqiri, shumë. Megjithatë, hetimet do ta tregojnë se kështjella mund të jetë e Edi Ramës, mbasi ai nuk mund të toleronte në rrethin e tij kështjellarë të tjerë përveç vetes së tij”, tha Berisha. (A2 Televizion)