Para banorëve të njësisë tetë në Tiranë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, firmosi një dokument ku zotohet se do të zgjidhë problemin e legalizimeve brenda 90 ditëve nëse vjen në pushtet pas 11 majit.
Lideri demokrat u zotua para qytetarëve se pronarët e tokës së zënë do dëmshpërblehen me vlerë tregu nga qeveria.
“Nuk do ketë urbanizim para legalizimit. Do ketë legalizim para urbanizimit. Se këta me këtë punë e bllokuan procesin. Ne do e legalizojmë dhe pastaj askush nuk e pengon rrugën aty ku duhet të kalojë”.
Ky rregull nuk do të vlejë vetëm në Tiranë, pohoi Berisha, por në të gjithë vendin teksa e cilësoi si “Nyje Gordiane” problemin e legalizimeve.
“Në këtë proces janë krijuar qytete të tëra dhe ata, të cilët flasin si me përçmim, atyre u them se në rrugën e zhvillimit dhe të qytetërimit të kombeve, urbanizimi, d.m.th kalimi nga zonat rurale në qytete, është një nga treguesit më themelorë të një shoqërie”.
Ish-kryeministri premtoi se me ardhjen në pushtet çdo procedurë për legalizimin e pronave do të kryhet pa asnjë pagesë apo pengesë tjetër. (A2 Televizion)