Kulluri ndan lajmin: Kemi arritur marrëveshje për koalicion me LZHK-në e Dashamir Shehit, ja ç’po presim

Nga A2 CNN
29 Janar 2025, 20:57 | Politikë

Edvin Kulluri, nga partia ‘Djathtas 1912’ është shprehur se kanë zyrtarizuar marrëveshjen për të hyrë në një koalicion të përbashkët në zgjedhjet e 11 majit me partinë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, e drejtuar nga Dashamir Shehi.

Komentet Kulluri i bëri në ‘Ditari i Pasdites’ me gazetaren Bruna Çifligu në A2 CNN, ku tha se janë në diskutime edhe me faktorë të tjerë politikë, për të formësuar koalicionin e përbashkët.

Ai tha gjithashtu se prej mbi një muaji kanë po i bëjnë apel të gjitha partive që ndajnë vlera të përbashkëta me ta, që të bashkohen në një koalicion, për të maksimizuar votën, duke marrë parasysh vështirësitë që krijon kodi zgjedhor për subjektet e vogla politike.

“Kemi zhvilluar bisedime. Vijojnë të bëhen bisedime. Ne kemi bërë një ftesë publike prej 1 muaj e ca për çdo parti të vogël apo të re, që për hir të situatës së krijuar nga kodi zgjedhor, të bashkohemi në një listë të përbashkët të hapur në një front sa më të gjerë, që të përballemi me ata që kërkuan mbylljen e listave dhe që kanë shkaktuar këtë krizë demokracie që ne jemi që nga viti 2008.

Deri tani vetëm ne dhe LZHK kemi dalë hapur në një marrëveshje dhe presim përgjigje nga disa subjekte të tjera, përveç atyre që kanë thënë që nuk do bashkohen me asnjë subjekt, siç është rasti i partisë së Arlind Qorit dhe Agron Shehajt. Ftesa është e hapur dhe kjo ftesë vlen për ato parti që kanë një peshë publike, që janë edhe zëra publik, por edhe parti që e kanë provuar veten në zgjedhjet e kaluara”, tha Kulluri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos