Gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi ka zbuluar në “Off the Record” me Andrea Dangllin detaje nga kampi rozë, aty ku prej ditësh tashmë janë mbërthyer nga ethet e ndarjes së posteve në kabinetin “Rama 4”.
Siç Beleshi tha ende nuk është caktuar një datë për zhvillimin e mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, por 11 shtatori është diskutuar nga Rama në qarqet e ngushta. Ashtu siç e do tradita në PS, Rama do të njoftojë në Asamble emrat e ministrave të rinj, por sipas gazetares së A2 CNN edhe në parti pritet të mësohet nëse do të vijojë të jetë Blendi Klosi numri dy i saj.
Sa i përket figurave ministrore, ato do të përzgjidhen në raport me procesin e integrimit të vendit në BE.
“Mund të kemi përveçse emra të rinj, edhe ministri të reja. Mund të kemi ndarjen e disa ministrive, por edhe krijimin e ministreve të reja. Reformat nuk do të jenë risi, pasi zoti Rama i ka përmendur edhe gjatë verës. Por edhe gjatë takimeve që ka patur, siç ishte ajo reforma për mbetjet, apo do jetë reforma për ujin e pijshëm. Janë reforma që kanë të bëjnë me integrimin dhe Shqipëria duhet ti plotësoj para se të marrë besimin e Brukselit. Ministri të reja por edhe ato që mund të rikthehen. Duhet të themi se ka një reformë për zhvillimin e territorit, mund të kemi edhe një ministri që lidhet me këtë proces. Por edhe Ministria e Inovacionit, që na rikthen te kabineti “Rama 1”. Në “Rama 4” nuk do kemi më pak ministri, por do kemi më shumë ministri të ekspozuara drejt Brukselit dhe reformave që duhen kryer. Zonja Pirdeni është një nga njerëzit që mund të rikonfirmohet. Nuk dihet në ministrin e Antikorrupsionit, që është pa portofol apo jo. Zoti Ervin Hoxha ishte një ministër i ri, por doli ndër më të votuarit në Tiranë. Një njeri jopolitik në kryeqytet, por ja doli edhe me lëshimin e terrenit nga kryeministri. Zoti Mazniku mund të jetë një nga emrat që mund të marrë peshë tjetër në kabinetin Rama 4. Ka një ministri pa portofol sot. Ka vend për të gjithë pasi do bëhen edhe ndryshime në parlament, pasi do të shtohet numri i komisioneve”, zbuloi Beleshi në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Gazetarja e A2CNN po ashtu zbuloi se deputetë të legjislaturës së kaluar që kanë mbetur jashtë Kuvendit pas zgjedhjeve të 11 majit, kanë pasur ditët e fundit takime me kryeministrin Rama dhe mund të kemi edhe prej tyre në kabinetin e ri qeveritar.
“Edhe deputetët që nuk arritën të rinovonin mandatin më 11 maj, kanë lobime. Kanë pasur takime me kryeministrin Rama ditët e fundit. Disa prej tyre presin edhe postë ministrore. Ka emra që kanë pasur detyra partiake, por mund të jenë edhe në postë ministrore”, tha Beleshi në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN. (A2 Televizion)