“Reformat, të panegociueshme”, Kos: Me këtë ritëm, Shqipëria në 2029 në BE, pas Malit të Zi

Nga Fjorela Beleshi
1 Shtator 2025, 19:38 | Politikë

Shqipëria mori premtimin që nëse do të vijojë të punojë për plotësimin e kushteve, mund të anëtarësohet në BE para 2030.

Nga Forumi i Bledit në Slloveni, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, u tregua optimiste, por pa harruar të nënvizojë që interesat e politikës së ditës nuk duhet të mbizotërojnë mbi objektivin e një vendi kandidat për të qenë me të drejta të plota në Bruksel, shkruan A2.

“Nëse Edi vazhdon të bëjë atë që po bën në mënyrë të shkëlqyer, atëherë në 2029-n mund të kemi 29 anëtarë. Reformat janë të panegociueshme… s’ka rrugë të shkurtër”, deklaroi Kos.

Fillimisht, shefi i qeverisë shqiptare, edhe pse në një karrige të parehatshme, u tregua diplomat me përgjigjen e tij se çfarë po bënte për ta afruar Tiranën me Brukselin: “Dua të them që s'ka vend për nxitim, sepse besoj që pjesa më e rëndësishme për ne, së paku për Shqipërinë, Mali i Zi është vend i madh, flas për Shqipërinë - është që ta përdorim procesin e anëtarësimit, si proces shtet-ndërtimi. Ne jemi absolutisht euro-optimistë, e duam Europën pa kushte, edhe pse Europa na ka bërë të vuajmë shumë. Ne kemi bindjen e plotë që një ditë do të martohemi”.

Por, pasi dëgjoi publikisht homologun slloven, i cili paralajmëroi vendet e Ballkanit që kanë pak kohë në dispozicion, përndryshe rrezikojnë një tjetër mbyllje të zgjerimit, Kryeministri shqiptar foli pa doreza, duke treguar se çfarë mendon vërtet për procesin e zgjerimit të BE: “O sot, o kurrë, pasi unë mendoj që kjo dritare për 5 vjet mund të mbyllet sërish”.

Rama deklaroi: “Çfarë zgjerimi me Shqipërinë dhe Malin Zi, ne jemi vende të vogla…ne me tregun unik, sikur po ju sfidojmë... ne thjesht jemi një pjesë e trupit jashtë, një plagë që po të futen mikrobe, infektohet”.

Kur pyetet se çfarë po bën në Shqipëri, Rama përgjigjet pa asnjë detaj, shtetndërtim. Ama kur gjen shteg për të folur për BE, kryeministri shqiptar nuk e fsheh pasionin për ta kritikuar familjen në të cilën do të bashkohet.

Presidenti i Këshillit të BE, Antonio Costa, i dha përgjigje të gjithë kritikave ndaj unionit, duke theksuar se BE nuk është një projekt për armatosje, por një projekt paqeje që në të ardhmen synon të zgjerohet.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos