
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar zhvillimin e një mocioni me debat mbi raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025. Kërkesa mban firmën e kryetarit Gazment Bardhi, ndërsa në të listohen 20 shqetësime të evidentuara nga Parlamenti Evropian, të cilat kërkojnë një trajtim të menjëhershëm nga Kuvendi i Shqipërisë.
“Sikurse jeni në dijeni, më datë 17 qershor 2026, Parlamenti Evropian ka miratuar Rezolutën P10_TA(2026)0217 “Mbi raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025”. Kjo rezolutë përfshin çështje me interes publik, të cilat duhet të adresohen nga Kuvendi i Shqipërisë.
Për këtë arsye, në mbështetje të nenit 98 të Rregullores së Kuvendit, ku parashikohet se “një kryetar grupi parlamentar mund të paraqesë një mocion me debat për çështje të veçanta”, kërkojmë zhvillimin e një debati mbi Rezolutën P10_TA(2026)0217 të Parlamentit Evropian “Mbi raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025”.
Koha e përgjithshme e debatit të jetë jo më shumë se 10 minuta për secilin deputet që dëshiron të diskutojë, duke qenë se integrimi evropian është përcaktuar në nisje të kësaj legjislature si prioritet absolut i Kuvendit të Shqipërisë.
Për sa më lart, kërkojmë mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve më datë 23 qershor 2026 dhe përfshirjen e kësaj çështjeje në rendin e ditës së seancës plenare të datës 25 qershor 2026”, thuhet në kërkesën e PD. (A2 Televizion)