“Më i fortë se kurrë!”. Kështu ndihet Sali Berisha pas vendimit të Kuvendit që me votat e mazhorancës socialiste e “hodhi” në duart e SPAK, duke i hequr imunitetin dhe hapur rrugë arrestimit të tij.
Në një fjalë të shkurtër për mbështetësit demokratë që e shoqëruan deri në seli, pas protestës para Kuvendit, Berisha u tha gazetarëve se nuk do të heqë dorë nga aksioni opozitar edhe pas këtij vendimi.
“Harroje! Të them jam më i fortë se kurrë. Më i vendosur se kurrë në mbrojtje të akuzës së drejtë opozitare dhe i garantoj shqiptarët se kjo kauzë do të triumfojë. Se forcë në botë që të mposhtë idealet e demokracisë nuk ka dhe nuk do të ketë. Kjo bandë do t'i ketë kohët e numëruara. Edi Rama do të përfundojë si gjyshi i tij, Enver Hoxha, në kalendat e historisë. Se shqiptarët do të kenë qeveritarët dhe opozitarët e tyre ashtu siç e meritojnë. Kjo është një histori në zhvillim, por nga më krenaret e popullit opozitar që nuk u mposht nga asgjë, që rezistoi ndaj një korrupsioni transnacional dhe dëshmon se ka të gjithë energjinë për të mbrojtur vlerat e demokracisë”, tha Berisha.
I pyetur nëse do të respektojë vendimin e Gjykatës së Posaçme, e cila pritet të ashpërsojë masën e sigurisë me “arrest në shtëpi” ose “arrest në burg”, Berisha tha se gjithçka që është ndërmarrë për të është ilegjitime.
“Gjithçka që është ndërmarrë ndaj meje është ilegjitime. Vendimet nga alfa tek omega janë marrë si hakmarrje e mirëfilltë politike në shkelje të çdo parimi dhe ligji të këtij vendi”, shtoi ai. (A2 Televizion)