Kuvendi “merr në pyetje” Dumanin, PD ndahet përballë kreut të SPAK, PS boshatis sallën

Nga Ervin Koçi
15 Korrik 2024, 19:30 | Politikë

Politika dhe drejtësia u ballafaquan në parlament. Seanca plenare e të hënës ishte enkas për raportimin institucioneve të drejtësisë, e cila në listën e detyrave ka edhe hetimin e politikës.

Altin Dumani nuk u prit me dashamirësi. Në momentin kur iu drejtua foltores, në sallë u krijuan 40 karrige bosh nga radhët e mazhorancës të cilët mesa duket, zgjodhën të mos dëgjonin raportin e kreut të SPAK.

Demokratët, nga ana e tyre, nuk qëndruan të heshtur. 15 deputetë i drejtuan mbi 50 pyetje, ku siparin e çeli Gazment Bardhi me deklaratën se Kryeministri Rama i kishte kërkuar kreut të SPAK të mbyllte shpejt dosjen Xibraka, pas marrjes rinisjes së hetimit, në të kuadër të të cilit u thirr për të dëshmuar edhe Olsi Rama, vëllai i shefit të Qeverisë.

Opozitarët ishin ndarë në dy grupe, jo vetëm në përmbajtje por edhe pozicionim në sallë. Ata pro SPAK si Gazment Bardhi ishin në krye të tavolinave dhe me të mbaruar pyetjet u larguan nga salla, duke distancuar në heshtje veten nga grupi tjetër, në fund të sallës, që nuk i kanë kursyer anatemimet ndaj Dumanit dhe ekipit të tij. Kur nisi pyetjet Flamur Noka, deputetët e moderuar të PD-së zbrazën karriget duke lënë kolegët radikal në betejën e tyre, që nisi me pyetjet për inceneratorët.

“Është krim intelektual. Kemi arrestuar një ish-kryeministër, ish ministër, deputetë”, tha Dumani.

Tonet e qeta të drejtuesit të SPAK nuk zbutën qëndrimet e opozitarëve të cilët e vunë atë nën akuzë për mbrojtje të zyrtarëve të mazhorancës duke marrë si referencë edhe dosjen 5D për Bashkinë e Tiranës.

“Ju nuk dini as 10% të hetimeve që bëjmë ne”, tha kreu i SPAK.

Kjo deklaratë solli menjëherë qetësi në sallë, qetësi e cila u shua kur Taluant Balla akuzoi opozitë se po bënte politikë me SPAK.

“Ai zotëria, (Flamur Noka) atje nuk duhet të fliste se ishte në konflikt interesi”, tha Balla.

“I vetmi person që është në konflikt interesi je ti, presim që prokuroria të zbardh bisedat me EncroChat ku do rezultosh edhe ti”, reagoi Bardhi.

Raportimi i Dumanit zgjati për mbi 3 orë ndërsa seanca vijoi me drejtuesit e organeve të tjera të drejtësisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos