Bislimi konfirmon për A2 CNN, opinioni i qeverisë së Kosovës me propozime konkrete për BE

Nga Xhevahir Qardaku
15 Korrik 2024, 20:43 | Politikë

Qeveria e Kosovës do të dorëzojë në Bruksel propozime konkrete për planin e zbatimit të marrëveshjes së normalizimit me Serbinë.

Këtë e konfirmon për A2 CNN Klisman Kadiu, nga kabineti i kryenegociatorit Besnik Bislimi, duke shtuar se komentet do të jenë në zyrën e ndërmjetësuesit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, deri në datën 18 korrik.

“Në vazhdimësi, përgjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, pala jonë ka paraqitur propozime konkrete dhe komente për secilën pikë, të versioneve të planit të sekuencimit, duke dëshmuar konstruktivitetin, si dhe gatishmërinë e vullnetin për zbatim të marrëveshjeve”, lexohet në përgjigjen e dhënë nga zyra e Bislimit.

Gjithashtu, Kosova kërkon që edhe Serbia të ketë një qasje konstruktive në dialog, në mënyrë që marrëveshjet të zbatohen plotësisht. “Kjo qasje nga pala tjetër, ka munguar deri më tani, fatkeqësisht”, përmbyllet reagimi nga kabineti i Bislimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos