La qelinë për tu betuar, Beleri nis takimet në Strasburg

Nga A2 CNN
16 Korrik 2024, 10:58 | Politikë

La qelinë për tu betuar, Beleri nis takimet në Strasburg

Fredi Beleri do të betohet këtë të martë në Strasburg si eurodeputet nga radhët e partisë qeverisëse greke, “Nea Demokracia”.

Pasi la qelinë në burgun e Fierit mëngjesin e së hënës, ai fluturoi nga Rinasi në drejtim të Athinës ku takoi kryeministrin helene Kyriakos Mitsotakis dhe sot ndodhet në Francë, ku ka nisur takimet e para.

Ka qenë nënkryetari i Komisionit Europian Margaritis Schina, i cili nëpërmjet një postimi në platformën X ka bërë me dije se është takuar me Belerin, para se ky i fundit të marrë zyrtarisht detyrën në seancën plenare.

Schinas ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të çështjes “Beleri” duke mbajtur kontakt të drejtpërdrejtë me ish-kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës gjatë gjithë rrugëtimit të tij në proceset gjyqësore në Shqipëri.

Në takimin e tyre, Schinas dhe Beleri kanë diskutuar për prioritetet e ciklit të ri politik dhe rëndësinë e të drejtave dhe lirive si një komponent i procesit të para-anëtarësimit për të gjitha vendet kandidate.

Evropa është e barabartë me lirinë”, shkroi në X nënkryetari i Komisionit, pas takimit.

Në veçanti, Margaritis Schinas vuri në dukje: “Ishte gëzim dhe emocion i veçantë që mirëprita Fredi Belerin në Strasburg pak para se të merrte zyrtarisht detyrën. Diskutuam për prioritetet e ciklit të ri politik dhe rëndësinë e sundimit të ligjit në të gjitha vendet kandidate për anëtarësim”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos