Adriana Kalaja, Kryetare e Gjykatës së Apelimit të PD, e ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se Këshilli Bashkiak, me shkeljet që ka bërë, i ka dhënë shkak Veliajt për të fituar gjyqin në Strasburg.
“Shkarkimet e kryetarëve të bashkisë janë të përcaktuara në nenin 115, ndërkohë që artifica që është bërë me VKM-në është se thuhet “në bazë të nenit 100”. Unë mendoj që PD-ja u nxitua që bashkoi votat me PS-në në Këshillin Bashkiak. Ishte pesha e betejës ndaj Veliajt në njërën anë dhe kërkesës që vetë anëtarët e PD-së në Këshill kishin depozituar në maj. Duke u ndodhur përpara një kërkese për shkarkimin e kryebashkiakut për shkak të mungesës 3-mujore në vendin e punës, nuk mund të ngrihesh pastaj ta kundërshtosh. Në aspektin moral, anëtarët vepruan drejtë. Por, nëse flas si avokate, nuk mund të them se vendimi i Këshillit Bashkiak është vendim ligjor. Për mua është antiligjor dhe për këtë më vjen keq sepse i kanë dhënë shkak Erion Veliajt për të fituar nesër gjyqin në Strasburg”, tha Kalaja.
“Të gjithë jemi dakord që Veliaj me dosjen që ka, ka shumë pak shanse që të dalë fitimtar, por ligjërisht ai mund të përdorë të gjithë këto shkeljet për ta fituar çështjen në Gjykatën e Strasburgut, që do të ketë shumë kosto”, shtoi Kalaja.
Sipas saj, “kur analizohet mosparaqitja në punë për 3 muaj radhazi të kryebashkiakut, ligji duhet të tregojë vullnetin e kryetarit për dorëheqje”.
“Prandaj ne kemi kërkuar që në fillim dorëheqjen e Veliajt, pasi kjo do ta zgjidhte shumë mirë në aspektin juridik. Mbase nuk do të ishte as në arrest me burg sot nëse do të ishte dorëhequr. Vetë votimi që është bërë për Veliajn është bërë i hapur, me urdhër të Edi Ramës, kur duhej të ishte votim i fshehtë. Kjo ndodhi sepse Edi Rama kishte shumë frikë se do t’i dështonte shkarkimi, për shkak se shumica e atyre që ishin prezentë ishin promovuar nga Veliaj”, u shpreh Adriana Kalaja.
(A2 Televizion)