Lisandër Hoxha: PD nuk na mbështeti në fillim për rinumërimin e votave

Nga A2 CNN
11 Qershor 2025, 20:42 | Politikë

Lisandër Hoxha: PD nuk na mbështeti në fillim për

Lisandër Hoxha, kandidat për deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës në zgjedhjet e 11 majit, deklaroi se partia e tij nuk e mbështeti fillimisht kërkesën për rinumërim të votave.

“Unë jam nga ata njerëz të lirë që mandatin dhe votat e mia ua kam borxh qytetarëve dhe askujt në parti. Duke qenë i lirë, kam të gjithë lirinë e mundshme për të shprehur mendimin tim siç e kam. I gjithë fokusi do duhej të ishte te masakra zgjedhore, e cila vërtet ka ndodhur, por unë nuk mund të përjashtoj edhe këtë. Në këtë kontekst, shyqyr që kemi disa kandidatë të PD-së që guxojnë dhe flasin në interesin publik, jo të mandatit. Kurrë më nuk duhet përsëritur kjo histori, sepse është turp t’i vjedhësh votën tjetrit te kutia”, tha Hoxha, në studion e "Ditarit" me Bruna Çifligun, në A2 CNN.

Kur u pyet nëse e kanë “bekimin” e Sali Berishës në kërkesën për rinumërim, Hoxha u përgjigj: “Unë jam një njeri i lirë, jam i djathtë. Besoj te vlerat e së djathtës që janë fisnikëria. Kontributin tim nuk e kam të lidhur me asnjë person, por e kam të lidhur me parimet. Bashkëjetoj nën rregulla të caktuara politike me shumë njerëz. Unë kam kërkuar mbështetjen e partisë dhe partia në fazën e parë nuk na mbështeti. Pasi u bë e madhe gjëja, që doli në publik votimi, pastaj kishte kërkesën për rinumërim të të gjithë Qarkut Tiranë”.

“Në këtë fazë nuk mund të çonim numra kutish, por kërkesa jonë ishte legjitime sepse ne hasëm në fakte dhe prova që nuk ishte numëruar si duhet. Se kujt i ka interesuar të lëvizë votat brenda llojit, këtë e gjejmë rrugës. Ne jemi tani te faza e parë”, shtoi më tej Lisandër Hoxha.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos