Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, i ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin, foli për situatën brenda opozitës pas përfundimit të rinumërimit të votave, duke theksuar se në PD tashmë janë kristalizuar tre grupime kryesore.
Sipas Sulës, ish-kryeministri Sali Berisha mbetet i përjashtuar nga çdo përgjegjësi për pretendimet për shit-blerje votash, duke theksuar se ai ka pasur gjithmonë një qasje të qartë dhe nuhatje politike.
“Jam i bindur se Berisha me këtë rinumërim i bëri një sfidë në heshtje atyre që pretendonin se u janë marrë votat, por edhe atyre që kanë lobime brenda PD. Ai e ka të qartë kush janë personat që lëvizin fijet në parti,” u shpreh Sula.
Ai zbuloi se, sipas bisedave me kolegët e tij, brenda Partisë Demokratike janë formuar tre grupe: grupi i Gazment Bardhit, grupi i atyre që kanë qenë tradicionalisht me zotin Berisha dhe një grup i tretë i të rinjve që tashmë ka një bazë të konsiderueshme votash.
Sula theksoi gjithashtu se në PD ka edhe figura të cilat nuk kanë pasur kurrë ambicie për të dalë kundër Berishës, ndërsa nënvizoi se jo të gjithë elementët brenda partisë angazhohen në prapaskena.
“Ka elementë brenda PD-së që nuk bëjnë kulisa. Kjo është e vërteta,” përfundoi deputeti i PD-së. (A2 Televizion)