Gjatë raportimit të tij në Kuvend për vitin 2024, kreu i SPAK, Altin Dumani u pyet edhe për krimin e organizuar shqiptar dhe bashkëpunimin e tij me vendet e rajonit dhe nëse ka të dhëna se kartelet serbe përdorin portin e Durrësit për trafik droge.
Dumani konfirmoi se nga hetimet ka rezultuar se krimi i organizuar shqiptar bashkëpunon me atë serb dhe malazez.
“Vizitat dhe takimet në DASH ka qenë një nga më të mirat që kam zhvilluar. Se çfarë është biseduar ne kemi bërë një komunikim me median. Është vlerësuar bashkëpunimi i SPAK me të gjithë autoritetet ligjzbatuese të Amerikës. Por kjo nuk ka të bëjë me vizitën time në Mal të Zi dhe takimi me prokurorin special aty. Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Kosovën. Me Malin e Zi kemi një bashkëpunim shumë të mirë dhe një marrëveshje kuadër.
Ne kemi vërejtur që krimi i organizuar shqiptar bashkëpunon ngushtë me krimin e organizuar në Mal të Zi e Serbi. Sa i takon vizitës së kryeprokurorit të posaçëm serb, edhe kjo ishte një nevojë pasi hetimet kanë dalë në përfundimin që krimi i organizuar shqiptar bashkëpunon me krimin e organizuar në serbi. Tashmë kemi vendosur ura komunikimi për të luftuar krimin e organizuar”, tha Dumani në Kuvend. (A2 Televizion)
