Dakordësia e gjetur mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike u pa edhe gjatë seancës së kësaj të hëne. Asnjë prej deputetëve të dy forcave politike nuk pati asnjë kundërshtim për projektvendimin për ngritjen e Komisionit të Reformës zgjedhore duke e votuar pa mëdyshje.
Por dakordësia mes të mëdhenjve nuk kënaqi forcat e reja, të cilat njëzëri akuzuan për marrëveshje të fshehtë dhe përjashtim të tyre nga tryeza për ligjin zgjedhor.
“Ku është tradita parlamentare, për të përjashtuar një parti që përfaqësohet në Kuvend. Dhe ai tha është me konsensus 99% dhe 1% që nuk është pjesë e konsensusit është lëvizja bashkë. Pyetja ime është, ku zboheni që përjashtoni nga e drejta e votës që parti parlamentare si me qenë ndonjë OJF apo institucion që është aty për të dhënë ca propozime apo për të dhënë mend”, tha deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi.
“Reformën zgjedhore do ta bëjë PS si t’i dojë qejfi. Sot PS i ka votat, ndaj do bëjë atë që i intereson. Këtë ua thamë që para datës 11 maj, kur të gjithë na thonin pse flisni vetëm për sistemin... PD e kishte mundësinë vitin e kaluar ta kushtëzonte, pasi kishte në favor vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk e bëri, sepse pa interesin e vet: si e si të kapte nga një karrige dhe të mos lejonte ndryshimin”, tha kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” përmes një postimi në rrjetet sociale.
Teksa për Komisionin e Reformës Zgjedhore pati reagime kundër, e kundërta ndodhi me Komisionin për Reformën Territoriale. Edhe pse Partia Demokratike nuk ka bashkëkryetar dhe as të drejtën e vetos, e as të vegjlit nuk kanë përfaqësuesit e tyre sërish ky proces votimi kaloi pa debate. (A2 Televizion)
