A janë marrë në pyetje Rama e Veliaj për inceneratorin e Tiranës? Ja si u përgjigj Dumani në Kuvend

Nga A2 CNN
27 Tetor 2025, 19:07 | Aktualitet

A janë marrë në pyetje Rama e Veliaj për inceneratorin e

Kreu i SPAK, Altin Dumani është pyetur në Kuvend për inceneratorin e Tiranës, nëse është marrë në pyetje kryeministri Edi Rama për favorizimin e kompanisë në ndërtimin e tij. Në përgjigje të tij Dumani tha se ky dokument ka qenë pjesë e hetimit të prokurorëve të SPAK. Ai pohoi se Erion Veliaj është marrë në pyetje dhe çështja është në hetim.

Pyetja: A është hetuar apo marrë në pyetje Edi Rama nga SPAK kur në kundërshtim me çdo ligj në fuqi më datë 7. 12. 2016 firmosi dhënien e bonusit prej 8% të pikëve kompanisë për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, por që në fakt kjo kompani nuk ekzistonte në momentin që kryeministri firmosi procedurën?

Dumani: Edhe ky dokument ka qenë pjesë e hetimit të prokurorëve të SPAK. Gjatë hetimit të procedimit penal kryhet hetim i gjithanshëm e objektiv, duke evidentuar fakte penale dhe përgjegjësinë penale të autorëve. E rëndësishme është prova dhe jo emrat që fshihen pas tij qoftë edhe kryeministri.

Pyetja: A është hetuar e marrë në pyetje Veliaj për firmën e paligjshme të tij në miratimin e koncesionit të inceneratorit fantazmë?

Dumani: Është fakt i njohur publik, po është marrë në pyetje dhe siç e thashë në përgjigje të pyetjes së Tabakut, çështja është në hetim dhe vazhdon të hetohet me qëllim evidentimin e përgjegjësisë penale të çdo personi të përfshirë në kundërligjshmërinë e dhënien e kësaj procedure koncensionare.

Më herët deputetja Jorida Tabaku e pyeti kreun e SPAK se çfarë veprimesh ka marrë lidhur me çështjen e 3 inceneratorëve, atë të Tiranës, Fierit dhe Elbasanit.

Altin Dumani tha nga foltorja e Kuvendit se Prokuroria e Posaçme ka hetuar në kuadër të këtyre 3 procedimeve penale, 71 persona. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos