Kriminaliteti në rënie! Koçiu në Kuvend: Kriminaliteti në rënie, mbështesim institucionet e pavarura në luftën kundër krimit

Nga A2 CNN
27 Tetor 2025, 16:47 | Politikë

Kriminaliteti në rënie! Koçiu në Kuvend: Kriminaliteti

Në seancën e sotme të Kuvendit, ku raportuan institucionet e pavarura të ndjekjes penale, Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu vlerësoi progresin në luftën kundër krimit të organizuar, duke theksuar se trendi i kriminalitetit në vend është në rënie në shumicën e treguesve kryesorë.

Koçiu bëri të ditur se gjatë 9-mujorit të këtij viti janë regjistruar 29 vrasje me dashje, më pak se 41 të vitit të kaluar dhe katër herë më pak se në vitin 2012. Ajo nënvizoi se ky është rezultati i luftës së pandërprerë kundër grupeve kriminale dhe i rritjes së kapaciteteve të Policisë së Shtetit.

“Viti 2024 së bashku me vitin paraardhës shënuan rekordin më të ulët të numrit të vrasjeve me dashje në vend dhe ky rezultat është produkt i drejtpërdrejtë i luftës të pandërprerë  kundër krimit të organizuar dhe grupeve mafioze që ka sjellë rënie të ndjeshme të kriminalitetit në vend”.

Sipas saj, edhe veprat penale kundër jetës e pronës kanë pësuar ulje, ndërsa rastet e plagosjeve të rënda janë përgjysmuar krahasuar me vitin 2015.

Në të njëjtën kohë, janë evidentuar mbi 1200 raste të armëmbajtjes pa leje, duke shënuar rritje të zbulueshmërisë dhe të ndërhyrjeve.

Ministrja raportoi gjithashtu për rezultate të rëndësishme në sekuestrimin e pasurive kriminale.

“Gjatë vitit 2024, rezultojnë mbi 234 pasuri të sekuestruara në total më vlerë të përcaktuar mbi 290 milionë lekë dhe 48 milionë euro. Janë gjithashtu 89 pasuri të konfiskuara me vlerë mbi 163 milionë lekë. Këto janë të dhëna që tregojnë se ne po e godasim krimin aty ku dhemb më shumë, te pasuritë dhe asetet e tij. Koha në të cilën një person me precedent kriminal mund të kryente disa vite burg për të gëzuar më pas pasuritë, ka përfunduar një herë e mirë. Sot, kush është pasuruar përmes krimit apo korrupsionit, së bashku me lirinë humbet edhe pasurinë. Këto janë para të krimit që kthehen në buxhetin e shtetit dhe vendosen në shërbim të qytetarëve. Vija e kuqe që kjo mazhorancë ka vendosur në raport me korrupsionin ka nxitur më tej rritjen e numrit të hetimeve”, tha ajo.

Ministrja theksoi se progresi është vlerësuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë, ndërsa përsëriti zotimin për të mbështetur institucionet e pavarura dhe për të forcuar bashkëpunimin me qytetarët dhe aleatët për një Shqipëri më të sigurt dhe më afër standardeve evropiane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos