Anëtari i Këshillit Bashkiak, Endri Shabani, i cili prej muajsh kishte kërkuar shkarkimin e kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i qëndron mendimit se ai duhet të ishte larguar nga detyra më herët, në të mirë të qytetit dhe qytetarëve.
I ftuar në “Off the Record”, Shabani deklaroi se është Veliaj ai që ka një problem me drejtësinë dhe jo qytetarët e kryeqytetit që meritojnë një drejtues në krye të punëve.
“Kemi humbur 7 muaj, ku qytetarët e Tiranës nuk kanë një njeri ta menaxhojë. E kam kërkuar në shkurt edhe pse nuk ishin bërë 3 muaj. Nuk duhet të humbnim kohë. Ligji parashikon rastet kur kreu i bashkisë jep dorëheqjen dhe kur shkarkohet pa dëshirën e tij. Në këto raste mbrohet qytetari dhe ky është momenti kur për 3 muaj nuk paraqitet në detyrë.
Qyteti ka nevojë për një drejtues. Veliaj mund të jetë i fajshëm apo i pafajshëm, ta zgjidhë vetë me drejtësinë. Ç’taksirat kanë fëmijët që mos kenë ushqim se është arrestuar Veliaj. Çdo i pandehur pretendon se ndalimi është i padrejtë.
Prokurori ka kërkuar që ky person të qëndrojë në arrest me rrezikun për të prishur provat. Ky është problemi i tij, nuk është problemi i qytetarëve i Tiranës. Nuk ka barazi në paligjshmëri. Ne nuk jemi një sistem që aplikojmë precedentin”, tha Shabani në A2 CNN. (A2 Televizion)