Dikur ishte zëri më i pushtetshëm në Bashki, ndërsa sot është pak orë larg shkarkimit. Komisioni Komisioni i Çështjeve Ligjore dhe Drejtësisë Sociale pranë Bashkisë së Tiranës do të shqyrtojë paraditen e të martës kërkesën e këshilltarëve socialist për shkarkimin e Erion Veliajt, hapi procedural që i jep dritën jeshile Këshillit Bashkiak lirimin nga detyra.
Vetë Veliaj nuk po e pret në heshtje këtë vendimmarrje të socialistëve në pushtetin vendorë. Nëpërmjet dy shkresave ai ka kërkuar që jetë i pranishëm në mbledhje, por adresa e tyre duket se nuk ishte në drejtimin e duhur.
Lirinë e përkohshme kryetari në detyrë e kërkon pranë Këshillit Bashkiak të Tiranës, e jo Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, organ i cili ka kompetencë për të nxjerrë nga qelia personat e burgosur apo paraburgosur me leje të posaçme. Shkresa e tij gjeti refuzimin e Sekretarit të Këshillit Bashkiak, Endrit Braimllari, i cili e sugjeron Veliajn të mbrohet jo me fjalë por me laps e letër.
Endrit Braimllari: Në vijim të kërkesës suaj për të qenë i pranishëm fizikisht në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, në rast pamundësie për të qenë prezent, Ju lutem që observacionet tuaja t’i përcillni me shkrim pranë Këshillit Bashkiak, në mënyrë që ato të administrohen dhe të bëhem me dije në këtë mbledhje.
Ligji është tepër strikt kur flet për lejet e posaçme për personat e paraburgosur apo të burgosur duke renditur vetëm pesë arsye; në rast sëmundjeje të rëndë të anëtarëve të familjes; rast vdekjeje në familje; lindjeje; martese; apo për të dhënë provime. Dhe Veliaj, edhe pse kërkesën e ka dërguar jo pranë Drejtorisë së Burgjeve, sërish nuk plotëson asnjë nga këto kushte për të dalë.
Refuzimi i Braimllarit u konsiderua si tejkalim kompetencash nga ana e Veliajt i cili nëpërmjet një shkrese tjetër, tha se procedura që po ndiqet është antikushtetuese.
Veliaj: Nuk kam marrë informacion mbi shkaqet e shkarkimit, materialet që më ngarkojnë me përgjegjësi, sqarimet përkatëse nga ana juaj, kërkesat e mia për sqarime dhe prova lidhur me shkeljen e pretenduar, apo materialet mbi të cilat ajo mbështetet. Si rrjedhojë, nuk më është krijuar mundësia për t’u mbrojtur dhe për të dhënë shpjegime ose për t’u dëgjuar para këtij organi kolegjial, as fizikisht e as me shkrim. Më tej, duke qenë se ndodhem në kushtet e paraburgimit, bazuar në një masë sigurie personale, mundësitë e mia janë të kufizuara.
Vendimi për shkarkimin e tij duket diçka pa kthim pasi krahas votave të socialistëve në këshill, edhe opozitarët janë shprehur se do të votojnë pro kërkesës, ndërsa fjalën e fundit do ta thotë Këshilli i Ministrave, i cili është organi që siglon Shkarkimin e Veliajit.
Për ironi të fatit, personi që e kandidoi tre herë Veliajn për kryetar të bashkisë së Tiranës, Edi Rama, do të jetë po ai që do të vendos për shkarkimin e tij, por firma e kryeministrit do të duhet të presë 15 ditë përpara se sa të hyjë në fuqi.
Kushtetuta thotë se në rast shkarkimit të të zgjedhurve vendor, i shkarkuari, në këtë rast Erion Veliaj, ka të drejtë ta ankimojë procedurën në Gjykatën Kushtetuese, dhe në rast se bën diçka të tillë, atëherë edhe procedura e shkarkimit do të duhet të kalojë filtrin kushtetues, i cili mesatarisht zgjat tre muaj, Kësisoj, edhe planet e socialistëve për zgjedhje të shpejta në Tiranë, mund të shtyhen për muajt e parë të 2026. (A2 Televizion)